Integrimi, koridoret dhe nismat europiane - Intervistë dhënë gazetës Ballkan, më 15 Nëntor 2013

z.Çeliku temat kryesore sot në Europë dominohen nga  proçeset integruese që lidhen me zhvillimin ekonomik. Po ne ç’vënd zëmë?

Në vëndin tonë integrimi konceptohet ndryshe,pra përpjekjet për marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian apo në Nato pjesë e së cilës jemi dhe ne apo qoftë dhe në struktura të tjera.Qeveritë njëra pas tjetrës kanë punuar pa rregullore dhe mund t’ju them se deri vonë këshilli i Ministrave  ka punuar me rregulloren e vitit 1985,nuk ka ndarje detyrash për postet politike etj. Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se integrimi është koncept shumë më i gjërë se mendohet në fakt. Integrimi i vëndit nënkupton antarsimin në struktura ku kemi interes,do të thotë ekonomi,energjetikë,investime,arsim,kulturë,shkencë,e më gjërë.

z.Çeliku, vëndi ynë ka punuar në këtë aspekt në nismat e koridorit 8-të apo projektin TAP, pse e keni këtë mendim?

Koridori 8-të tashmë ka dështuar si projekt dhe mund t’ju them se nuk ka gjasa të iniciohet më.Dështimi i asaj sipërmarrje e cila drejtohesh atëhere nga ish Presidenti Clinton ka ardhur për faj e gabim  të qeverisë, neglizhencës dhe javashllëkut në trajtim.Tashmë komisioni europian ka përcaktuar prioritete të tjera.Kështu mund t’ju them se Bashkimi Europian po mbështet korridore të tjera ose shkoqur ndërtimin e rrugës Egnatia një aks që shkon paralel me koridorin 8-të dhe që përfundon në Igumenicë. Kjo rrugë  e cila përfshin dhe ndërtimin e portit të madh të kontainerëve po financohet nga Bashkimi Europian   dhe kap një vlerë prej 15 miljard euro.Edhe Turqisë nuk i ka interesuar koridor i 8-të e cila intercepton me koridorin 4-të Plovdiv-Stamboll me interes për Turqinë.

Sa për projektin TAP mendoj se është bërë ajo që duhet dhe duket në rrugë të mbarë.

z.Çeliku, a ka projekte të tjera Bashkimi Europian ku mund të kemi dhe ne interesat tona?

Sigurisht që ka.Komisioni Europian ka formalizuar më 16 Tetor 2013 një hartë të re të nëntë koridoreve kryesore paneuropiane që formojnë në këtë mënyrë shtyllën kurrizore të transportit në tregun Europian.Krahas  asaj që theksuam më lart,politika e komisionit europian konsiston gjithashtu në zhvillimin e infrastrukturës dhe interkonjeksionet që janë baza për të realizuar një treg të qëndrueshëm rajonal e cila do të sigurojë lëvizjen e lirë të njerzëve dhe mallrave,mbështet rritjen ekonomike, punësimin,reduktimin e varfërisë  dhe konkurencën brënda Bashkimit Europian.Qëllimi i komisionit  është që deri në vitin 2050 të sigurojë një infrastrukturë efikase e cila do të jetë atraktive për ekonomi të tjera.

A mund të na thoni secilat janë nëntë koridoret që mbështet  Bashkimi Europian ?

Koridori i parë që mbështet është Koridori Adriatik-Balltik e cila lidh Detin Balltik me Detin Adriatik nëpërmjet zonave të industrializuara në jug të Polonisë,Vjenë,Bratislavë,Alpet lindore dhe veriore të Italisë.Ajo përfshin projekte hekurudhore të shpejtësive të mëdha vepra arti dhe tunele . Koridori Veri-Deti Balltik, lidh portet e bregut lindor të Detit Balltik me portet veriore.Ajo parashikon lidhjen e Finlandës,Estonisë,portet gjermane,Hollandë.Projekti kryesor është hekurudha balltike e cila do të lidhë Talin,Riga,Kaunas,dhe Poloni. Koridori i Mesdheut, lidh gadishullin iberik në kufirin mes Hungarisë dhe Ukrahinës.Ai pason brigjet mesdhetare të Spanjës e Francës përmes Alpeve në lindje e veri të Italisë,lë bregdetin e Adriatikut,në Slloveni e Kroaci drejt Hungarisë. Kjo do të ketë rrugë dhe hekurudha shpejtësie. Koridori Lindor-Mesdhetar, shtrihet nga Greqia,Qipro,Gjermani,Çeki deri në portet Balltike.Edhe këtu prioritet do të kenë infrastruktura rrugore dhe hekurudha,energjitika etj. Koridori Mesdhe - Vëndet Skandinave, është një bosht veri - jug vendimtar për ekonominë europiane e cila lidh Balltikun me Finlandën, Suedinë,Gjermaninë,Italinë,Maltën etj. Koridori Rhein-Alpet, është një nga rrugët më të ngarkuara të europës që lidh portet e detit veriut në Rotterdam dhe Antwerp( Belgjikë)pellgun e Mesdheut,Zvicër,Gjermani dhe Itali. Koridori Atllantikut, lidh pjesën lindore të gadishullit Iberik dhe në portet Le Havrë dhe Rouen Paris dhe më vonë parashikon ndërtime hekurudhash të shpejtësive të mëdha. Koridoret e Detit Veri-Mesdhe dhe Rhein-Danub parashikojnë të njëjtat investime,pra në infrastrukturë dhe hekurudha të shpejtësive të mëdha.

Parashikohet që Komisioni Europian të financojë rreth 250 miljardë dollarë vetëm për fazën e parë që mendohet se shkon deri në vitin 2030.

Të gjitha këto projekte gjigande do të thosha,përfshijnë ndërtimin e 94 porteve detare europiane që do të lidhen përmes hekurudhës me rrugë dhe aeroporte.

Gjithashtu parashikohen investime në 38 aeroporte të lidhura me qytete të mëdha dhe hekurudha gjithashtu,15 mij kilometra rrjet hekurudhor të shpejtësive të mëdha,35 projekte ndërkufitare për të reduktuar pengesat kufitare etj.

z.Çeliku, pse gjithë këto investime në hekurudha dhe a përfshihet Shqipëria në ndonjë projekt të këtij lloji ?

Më vjen keq t’ju them se vëndi ynë nuk përfshihet në asnjë prej atyre koridoreve që sapo cituam.Ju thashë se qeveria që shkojë nuk është marrë me këtë problem dhe as diplomacia shqiptare jasht vëndit. Meqënëse jemi këtu, unë mendoj se çdo ambasadë duhet të ketë një këshilltar ekonomik por dhe puna e diplomatëve duhet të monitorohet e matet  se sa kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të vëndit tyre. Ndërsa Ministria e Integrimit,Ministria e Punëve të Jashtëme dhe Ministria e Ekonomisë dhe e Zhvillimit duhet të ndryshojnë konceptet e punës dhe të heqin dorë nga dublazhet dhe punët pa bereqet.

Sa i takon përqëndrimit të investimeve në hekurudha dua t’ju bëj me dije se nga trafiku,ndotjet e mjedisit,ngrohja globale,mbrojta ambientale dhe akustike,vëndet kudo në botë po humbasin shumë.Tashmë tregjet do të orientohen drejt transportit alternative ose asaj që quhet ndryshe transportit me shina.Ndërkaq duke përdorur transporte të tjera vëndet e zhvilluara humbasin rreth 2,5 përqind të prodhimit përgjithëshëm bruto.

Përfitoj nga rasti ti bëj apel qeverisë që edhe pse në kushte të vështira krize ta shikojë me prioritet sektorin e hekurudhës e cila tashmë është plotësisht e amortizuar dhe e shkatërruar.

z.Çeliku, a mund të na thoni në se flitet për ndonjë projekt tjetër sepse një e përditëshme shqiptare  kishte një artikull që lidhet me koridorin e Detit të Zi ?

Po e vërtetë lexova diçka të kësaj natyre.Ndarja ideollogjike midis lindjes dhe perendimit gjatë viteve të luftës së ftohtë ka penguar në mënyrë të qartë dhe seriozisht zhvillimin e vëndeve pjesmarrëse të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi ( BSEC ) antar i së cilës jemi dhe ne.

Tashmë është e qartë se popujt dhe globalizmi ka stimuluar idenë e gjetjes së mënyrave të bashkëjetesës paqësore si qëllim efikas dhe me efektivitet të lartë.Pra bashkëpunimi ekonomik bazohet në interesat e ndërsjellta të këtyre vëndeve.Fillimet e kësaj politike i nisi ish Presidenti i Turqisë Turgut Ozal rreth viteve 1992  e cila konsistonte tek një model të ri bashkëpunimi rajonal e më gjërë duke e argumentuar me përparësitë që ka ky projekt. Ndryshe kjo iniciativë e projekt  quhet “ Nisma Baku “.

Çfarë synon të realizojë konkretisht ky koridor dhe çfarë projektesh ka ?

Bashkëpunimi i Detit të Zi ( BSEC ) synon në rradhë të parë të nxisë e të inkurajojë  integrimin ekonomik  e vëndeve pjesmarrëse  në këtë projekt, ide që  thuhet se mbështetet dhe nga Bashkimi Europian. Bashkëpunimi përfshin  tregëtinë,transportin,energjinë,komunikimin, mjedisin,rrugë e vepra arti etj.Janë organizuar disa takime për këtë qëllim por pa definuar asgjë deri më sot.

Bëhet fjalë për ndërtimin e rreth10 mij kilometra rrugë qëdo të përshkojë nga vëndet e Detit të Zi, Azerbaxhan, Armeni, Bullgari, Gjeorgji, Greqi, Moldavi,Rusi,Serbi,Turqi,Shqipëri dhe Ukrahinë.Bëhet fjalë që projekti prek 11 shtete me një popullësi rreth 360 miljon banorë.Sigurisht në se do të realizohet ky koridor pavarsisht rezervave që kam unë personalisht, do të ofrojë bashkëpunim dypalësh dhe shumëpalësh, veçanarisht nëpërmjet investimeve direkte dhe transferimit të teknologjive moderne. Kjo organizatë ( BSEC ) është krijuar dhe vepron si një strukturë thjesht ekonomike ku në qëndër ka  kontaktet qeveritare dhe ndërqeveritare të këtyre vëndeve.

Takimi i pestë i “ Nisma Baku “ u zhvillua në Sofie.Pjesëmarrësit ranë dakort për të zbatuar strategjinë e iniciuar deri në vitin 2015.Marrveshja nënkupton zhvillimin e të gjitha llojeve të transportit,pra të transportit detar,hekurudhor,ajror dhe rrugor,përfshirë infrastrukturën e rrjeteve rrugore që lidhin  këto vënde.

Ky Koridor i cili shtrihet nga Deti i Zi, dhe deri në Azinë qëndrore përmes Kaukazit duket se është një nga fushat kryesore të identifikuara nga grupi i nivelit lartë.Për realizimin e këtij projekti thuhet se do të financohen shuma të mëdha nga Bashkimi Europian.

z. Çeliku edhe një pyetje të fundit, si mund të absorbojmë fonde dhe donacione  që edhe ne të jemi pjesë e projekteve të mëdha ?

Marrja e statusit kandidat për në Bashkimin Europian në fund të këtij viti sigurisht që do të ndryshojë ca gjëra për mirë.E rëndësishme është të punohet në mënyrë përmanente dhe me intensitet me vëndet e rajonit për të realizuar projekte me interes të përbashkët sepse ne jemi difektozë për shkak se   rendim më shumë drejt problemeve korente se sa tek ato perspektive. Kontaktet e funksionarëve të lartë përveç anës së protokollit duhet të ndalen dhe në bashkëpunimin në fushën ekonomike.Puna e qeverisë së re duhet vlerësuar si një fillim i mbarë duke parë se ka disa ide rreth bashkëpunimit me Kosovën për intekonjeksionin.në fushën ekonomike,arsimit,kulturës por dhe me vëndet e tjera të rajonit.Megjithatë mendoj se shpesh nuk mjaftojnë idetë e mira lidhur me projektet e mëdha sepse ato duan fonde të mëdha që nuk është kollaj të gjënden.E rëndësishme është të rregullohet klima politike,pra e kam fjalën tek situata dhe politika e brëndëshme sepse është determinuese në realizimin e programeve politike dhe qeverisëse.Nga kjo pikpamje vëndi ynë ka vuajtur shumë.

Nga ana tjetër mendoj se opozita duhet të jetë më bashkëpunuese dhe jo të mendojë për ti futur gurë nën rrota qeverisë.Në kushtet kur qeveria trashigoi një situatë të veçantë krize jo vetëm ekonomike e financiare por dhe më gjërë se sa kaq, kërkohet nga cilido shqiptar që kërkon ndryshim e zhvillim ekonomik, ta mbështesë dhe ta inkurajoi atë në punën e saj.

z.Çeliku, Ju faleminderit për intervistën.

Faleminderit dhe ju.

Intervistë me gazetarin dhe autorin, ish zv. Ministrin e Transportit Sadedin Çeliku dhënë gazetës Ballkan, dhe botuar të Premten, datë 15 Nëntor 2013.