Zgjedhjet ? Morali i qeverisjes së keqe - Intervistë dhënë gazetës Zëri i Popullit, botuar më 03 Korrik 2012

z.Çeliku, disa nga angazhimet e qeverisë janë siguria publike,efikasiteti i sistemit të rendit  publik  dhe drejtësisë. Cili  është  mendimi  juaj ?

Sigurisht  që  kjo  qeveri  ka  pesë  vjet  që  qeveris dhe   çdo  gjë  nuk  ka  shkuar  sipas  premtimeve  të   bëra.Në aspektin e sigurisë publike dhe rendit janë evidentuar fenomene  negative.Janë të shumta rastet e vrasjeve, madje dhe në mes të Tiranës.Gjakmarrja  ka  kyçur qindra  familje dhe tashmë ky problem është lënë në dorë të shoqatave  dhe shoqerisë civile për shkak se qeveria nuk merr asnjë masë.Janë qindra  fëmijë  të  ngujuar të cilët janë të detyruar të rriten analfabetë  pa  shkollë.Aksidentet  me  pasojë  vdekjet  janë  rritur dhe çështja e sugurisë rrugore  ka mbetur pa asnjë  inisiative ligjore  dhe vullnet për ta zgjidhur.Ndërhyrjet  rast pas  rasti  në  kodin  rrugor,vënd  e  pa  vënd  nuk ka çuar në përmisimin  e  situatës, kështu që  rezultojnë  hapa të gabuara.Sa për sistemin e drejtësisë shikoni sjelljen e maxhorancës ndaj Presidentit për kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë  që  refuzohen gjithnjë  pa asnjë  arsye. 

z.Çeliku, Po  lidhur  me  garantimin e pronës,lirinë e  informimit  dhe  të drejtat  e  minoriteteve  si  e  gjykoni  punën  e  qeverisë ? 

Sa  për  pronën nuk ja vlen të diskutosh sepse  pronarët nuk kanë marrë pronë  dhe  është  tepër  e  vështirë  komunikimi për këtë çështje  me entet shtetërore.Tashmë pronarë të vërtetë  ndjehen të legalizuarit në trojet tona dhe jo ne.Liria  e  informimit  mbetet  e  cënuar për shkak  se qeveria  është shkëputur  me kohë  nga  komunikimi  me  popullin.Për  gjërat themelore dhe çështje  me interes  publik  qeveria nuk informon madje  ruan  shumë sekrete.Sa  për  statusin e minoriteteve  “  është  punuar  shumë  mirë “  dhe  e  dini pse? Sepse  tashmë  kërkojnë statusin bullgarët për Gollobordën,Maqedonasit për  300 njerëz  që  ka  në  Prespë,Rumunët  për arumunët,madje dhe rusët  për rusishtfolësit.Sa  i  takon  grekëve ju kemi dhënë  çfarë të duan, kanë ndërtuar dy palë vorreza  dhe mendojnë të ndërtojnë  dhe  dy të tjera në Pogradec e  Delvinë.Mos  t’ju  duket çudi  që  ti  falim  dhe gjithë  Detin  Jon. 

z. Çeliku,  qeveria  ishte  angazhuar të qeveriste në shërbim të qytetarëve, reformësim  të administratës  publike,reformim  të   një administrate me standartet Europiane.Cili është mendimi  tuaj ?

Të  them  të  vërtetën  çdo  gjë  bën  vaki  por  vetëm në shërbim të qytetarëve nuk kanë qënë asnjëherë.Qytetaret kanë pesë vjet që ankohen për rritje tarifash  për ujin,energjinë,telefonin fiks dhe celular  dhe  për  faturime aforfe,mbifaturime,  dhe  shpesh  kot  dhe nuk është marrë  asnjë  masë.Qytetaret kërkojnë punë  dhe nuk ju ofrohet, kërkojnë  që  shteti  të  ndërhyjë në rritjen e çmimeve  abuzive,kjo në mënyrë të veçantë për ushqimet  dhe përsëri nuk e bën.Taksat janë rritur në mënyrë progresive dhe  jeta  familjare  është  bërë  e  papërballueshme.Sa herë që qytetarët ankohen ju shtohet një faturë si tvsh-ja, tarifë shërbimesh e ku di unë.

Përsa i  përket reformës  në administratë  këtë e ka bërë  duke hequr  nga administrata  plot  21  mij  nëpunës  të  aftë  dhe duke i zevëndësuar  me të pashkolluar  dhe militantë  duke  i  shkaktuar një dëm  ekonomik shtetit mbi 120 miljon dollarë.Reformë tjetër unë nuk di të ketë bërë.

z.Çeliku, a  ka  besim   populli   tek  shteti   dhe   si  paraqitet  situata  me korrupsionin  dhe  si  është  ndëshkuar  ai ?

Sipas  sondazheve  të  disa  ditëve  përpara  rezultoi  se  vetëm  48 përqind kanë  besim çka  do të thotë  se  shumica nuk ka besim.Ju  e  patë që shumica beson tek  Presidenti  i  Republikës  dhe  jo  tek  qeveria.Sa  i  takon  korrupsionit  ai  është  bërë  fenomen dominues  gjë  që  shpesh  herë  strukturat  ndërkombëtare  kanë tërhequr  vëmëndjen  e  qeverisë  që ajo të marrë masa  për minimizimin e saj.Fakti  që  akuzohen Ministra  dhe politikanë  dhe s’merret asnjë  masë  e  vërteton   këtë   gjë. Të  ndëshkuarit   për  korrupsion   janë   disa   “  lepra “  që  bëhet   enkas  për   të   bindur  ndërkombëtarët  se  ne  po  e  ndëshkojmë.Kjo është e gjitha.


z.Çeliku,  qeveria  ka  qënë e angazhuar  në  zhvillimin  e shpejtë  dhe të qëndrueshëm  të ekonomisë  dhe në drejtim të nismave  të punësimit  si paraqitet ?

Shikoni  fillohen  shumë  rrugë  dhe  akse  kryesore  dhe   lihen përgjysëm sepse  nuk  kanë  aftësi  paguese dhe shpesh kanë prapavijë politike.Kjo   me   se  shumti    ka  qellime  elektorale.Kualiteti  tyre  lë  për  të  dëshiruar  dhe kjo  është  dhe një arsye që bëhen shumë  aksidente.Rrugët janë  pa  standartet  e  duhura  pa sistem ndiçimi  publik  dhe pa  sinjalistikë  elektronike,horizontale  pa mure mbrojtëse Mbikalimet  dhe  nënkalimet  mungojnë  fare.Rritja ekonomike që raporton  qeveria  do  verefikuar  dhe   mbetet  për tu  parë  sepse  ajo  nuk reflektohet  në  zbutjen  e  problemeve  që  ka  populli  ynë.Ndërkohë  që raportohet  rritje  ekonomike, populli  është  më  i  varfër  se  çdo  vit  më parë.Ekspertet  dhe  nobelistët  ekonomistë  sot  në      Botë  pranojnë  se duhet  të  ndryshojnë  kriteret  e  llogaritjes  se  GDP-së  sepse  ajo nuk pasqyron  më  realitetin në kushtet e krizës ekonomike vitet e fundit.

Përsa  i  përket punësimit  ajo  sot  sipas  mjaft  institucioneve  të  huaja tek  ne  është  rreth  40 %  pra  të  papunë  ndërkohë  që  raportohet  13 %.Nismat  aktuale,por  dhe  të  qeverive  të  mëparshëme, nuk kanë  rezultuar  të sukseseshme  ndaj  ajo  duhet përmisuar  dhe reformuar si metodë.Punësimi ju e dini  që  ka  krijuar  mjaft plagë  në  shoqerinë  tonë.Aktualisht vihet re një fenomen.Kanë  filluar  vjedhjet  nëpër  shtëpi    të  cilën  e  kishim  harruar.Droga,prostitucioni  dhe  trafiqet  e  tjera  janë  produkt  të  mungesës  së  punës  dhe  shpresës  për mbijetesë.Kjo  në mënyrë të veçantë për  rininë  e  cila  qëndron  rrugëve  dhe  asnjë  nuk bëhet merak për ta.Informaliteti  në  sektorin  privat  është  në  kulmin  e  vet  dhe s’ka  kush e lufton.Struktura  e  Inspektoriatit  punës  vetëm  me  80  vetë  nuk  mjafton të kontrollojë  vetëm Tiranën  dhe jo  më  gjithë  Shqipërinë, por kjo  lihet qëllimshëm. 

z.Çeliku, qeveria  thotë  se  shpenzimet  publike  janë  orientuar  në  shërbim të  zhvillimit  ekonomik. Po  në  transport  dhe  në  sistemin e punëve publike dhe energji  si  paraqitet  puna ? Së  pari  dua  të  theksoj  se  shpenzimet publike nuk administrohen  ose më saktë  shpërdorohen  dhe  për  këtë  kritikat  e  ndërkombëtarëve,opozitës  dhe  eksperteve  nuk kanë  munguar.Investimet  publike  nuk orientohen drejt zhvillimit  ekonomik,ai është spontan  dhe shpesh  i  japin  karakter  politik.Ekonomia  nuk ka zhvillim harmonik  dhe  shpesh  investimet orientohen në qytetet ku janë  dominues demokratët.Kjo  vërehet  në  inagurimet e shpeshta  të  Kryeministrit të punimeve të papërfunduara    dhe  që  nuk  hapin asnjë  vënd  pune  ose nxisin me  koshiencë   punën  e  zezë.Transporti  konceptohet thjesht  si punë  rrugësh  ose  fondet orientohen andej  për  shkak  të  fitimeve  të  pamerituara  që  i sjell  ky  sektor.Ju  e  shikoni  transportin  që  është  katandisur  në  ditët  me  të  këqia të këtij shekulli .Hekurudha  e  amortizuar  tërësisht,madje është jashtë përdorimit dhe nuk bëhet asnjë kujdes për zhvillimin  e  këtij sektori.Transporti ajror ka lëvizur  diçka  por  nuk është në nivelin që  kërkohet.U investuan  miljona  dollare  për  Aeroportin e Kukesit  i  cili  është tashmë i standarteve  ndërkombëtare  dhe  nuk  shfrytezohet  për  ti  krijuar hapësira shfrytezimi    atij  në  Rinas.Ai  aeroport  i  cili do të punësonte qindra njerez due  do  të  përfshinte   trafikun e  gjithë  veriut madje dhe të Gjakovës,Prizrenit  do  të  bëhesh  një  ogur  i  mirë, por  nuk ka gjasa të realizohet gjë  sepse nuk ka  vëmendje.Gjithashtu  kanë  mbetur  në  letër  politikat  për rimëkëmbjen  e  aeroporteve  të  brëndëshme  të  cilat kanë  ekzistuar dekada më parë, sepse ju interesojnë investimet e mëdha si ndertimet e Parlamentit ri,stadiumit të futbollit,zgjatimi i bulevardit me prapavijë gradaçelat e klasës së pasur abuzivisht,ristrukturimi  dhe sistemimi i lumit të Tiranës, etj.Sistemi  energjetik  edhe pse u  konçensjonua  çdo  lumë  e  vëndburim,përsëri nuk ka filluar të lëvizë  se  shumë sipërmarrës  nuk kanë  filluar ende  nga  puna, ndërkohë që ato që kanë përfunduar janë shumë pak.Ndërsa  prodhimi  i  energjisë  dhe  konsumi  gjithashtu  janë  rritur,tarifat  vazhdojnë  të  rriten  pa  asnjë  kuptim.Humbjet në rrjet  dhe vjedhjet  duan  ti  nxjerrin  ne  kurriz  të  njerzëve  të  ndershëm.E padrejte.

z.Çeliku,  qeveria  flet  shumë  për  masivizimin  e  arsimit,zgjerimin  e  pjesëmarrjes  se  arsimit  jo  publik.Cili  është  mendimi  juaj ?

Të  them  të  drejtën  universitete  jopublike kemi  me  shumicë  bile dhe në rrethe  që  nuk  ka  studentë  fare.Me sa di unë janë dhënë 45 liçenca.Diploma  universitare , ato të masterit dhe të doktorraturave  ju  ka  rënë  vlera,janë bërë  bajate  sepse  mund  ta  marrish me pak lekë  dhe në kohë mjaft të shkurtër.Çudi  është  se  këtë po  e bëjnë  edhe  moshat  e  vjetra.Me  keqardhje  e  them  se  linçencimi pa kritere  e ka kthyer  Ministrinë  e  Shkencës  dhe Arsimit  në një  Institucion  licencash dhe nuk e di  se  ku do të shkojmë  në  këtë  mënyrë.Njerzit flasin  dhe thonë për këto  universitete  se  jane  “  piramida “ dhe streha e pastrimit parave.Të mos harrojmë se ka me qindra diploma false të marra në universitetet Maqedone dhe në vënde të tjera dhe janë konfirmuar e njëhsuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

z.Çeliku,  po   për  kulturën , rininë  dhe  sportin  çfarë  mendimi  keni ?

Për  kulturën  shteti nuk po bën asgjë.Monumentet e kulturës nuk ruhen,nuk investohet  madje  disa prej  tyre  rrezikohen  të  humbasin  fare.Tashmë ato po humbasin dhe identitetin se janë dhënë me konçension. Për  të tjerat ja kemi  lënë  televizioneve  të  organizojnë  gaz  dhe  hare, se kështu  duan shqiptaret.Ku  gjëndet  paratë ?  Nuk  e  di. Unë mendoj se të gjitha këto duhet  të  ç’bëhen sa më parë sepse veprat monumentale janë kthyer në gjebabtore.

Sporti  është  bërë  degë  e  rëndësishme  e  ekonomisë.Mjafton për këtë  të shikoni  numrin  e  bizneseve  eurolotto e kazino dhe  do  bindeni  se  me shumë se gjysma  e  popullësisë  luan  kumar  me  to.Keqardhje për këto që ndodhin dhe për qeverinë që vazhdon ta  stimulojë.

z.Çeliku,  atëhere  si  duhet  të  dalim  nga   ky  qorrsokak ?

Zgjedhjet  e  parakohëshme  do  të  ishte  zgjidhja  më  e  drejtë jo për politikanët  dhe as për opozitën  por  për  popullin  i  cili  kërkon ndryshim dhe shpreson  për  një  jetë  më  të mirë  se  sa  sot. Liberalizimi  i  vizave sigurisht që është gjë e mirë  por  ajo  nuk  merr  përsipër  zgjidhjen e problemeve  të shumta sociale  që  kanë  shqiptarët  ndaj  duhet të shkojmë në zgjedhje për ndryshim sepse kjo maxhorancë  është konsumuar dhe ka ezauruar gjithçka.

Ju  faleminderit. 

Intervistë me gazetarin dhe autorin, ish zv. Ministrin e Transportit Sadedin Çeliku dhënë gazetës Zeri i Popullit, botuar të Martën, datë 3 Korrik 2012.