Pushteti i popullit dhe demokracia

Në  se  shtrohet pyetja rreth  elementëve  të  veçanta nga të  cilat përbëhet  një  bashkësi  shoqërore  demokratike, arrihet domosdoshmërisht te thënia,

sipas  së  cilës  demokracia  është  sundim  i  popullit.Të njëjtën gjë nënkupton edhe  përkthimi  nga  greqishtja i fjalës demokraci.

Në  çdo  kushtetutë  demokratike , gjëndet  thënia sipas së cilës populli është bartësi i fundit  i  gjithë  sovranitetit.Sipas  saj, pushteti  është i legjitimuar në mënyrë   demokratike  vetëm  në  rast  se ai   ka  dalë  nga  vullneti  i  lirë dhe  me   miratimin  e  popullit.

Doktrina  e  sovranitetit  të  popullit  hodhi poshtë pikpamjen tradicionale, sipas  së  cilës,   mbretit  apo  princit  i  takonte   pushteti  për  shkak  të prejardhjes  nga  dinastia  e  tij  e  dhuruar  nga  zoti.Autoriteti  shtetëror, në dinastinë   e   dhuruar   nga   zoti   nuk  vinte   nga   shoqëria,  por   nga kristalizimi,trashigimia  dhe  pikpamja  fetare  të    dala  nga  fuqitë  mistike dhe  të  themeluara  sipas  parimeve  të  cilat  përjashtonin   ndërhyrjen  e qytetarit.Në  këtë  ndarje  themelore  të  sunduesëve  dhe  të  sunduarëve qëndron  thelbi  i  antagonizmit  mes  demokracisë  dhe  monarkisë.

Ai    që    kërkon  ti  japë  kuptim   vullnetit  popullit  duke  e  marrë    në konsideratë aktin  e  daljes në zgjedhje  duke  i  bërë  ato  në  këtë menyrë instrument  vendimtar  të  konkretizimit  të  sovranitetit  të  popullit, së pari, duhet  të  parashtrojë  disa  kërkesa.Të  zgjedhurit mund  të  lidhen me vullnetin e zgjedhësve vetëm  nëse ata  detyrohen  të zgjidhen  rregullisht në  interval  periodike kohore, për  të  marrë pëlqimin  e  zgjedhësve  për  punën  e  tyre  në  të  ardhmen.

Të  zgjedhurit, vetëm  në  këtë mënyrë  detyrohen  t’i  respektojnë  bindjet dhe  interesat  e  zgjedhësve  të  tyre.

Përveç kësaj,  populli  zgjedhës  duhet  të  ketë  mundësinë  e  vertetë të zgjedhjes.Zgjedhja  e  atij  duhet ti ofrojë  alternativa  të  ndryshme   të pavarura  dhe  personale.Listat  me  kufij  të  dhënë  janë  simptoma të diktaturës.

Në  politikën  moderne  flitet  shpesh  për  vullnetin  e  popullit  pa  qënë  e qartë  se  ç’nënkuptohet  saktësisht  me  këtë  nocion.

Shpesh   ngatërrohet  koncepti  i  shumicës.  Ajo  nënkupton të  mirat   e përbashkëta  ose  më  të  mirën  e  mundëshme.

Përvoja  ka  treguar, se  edhe  shumicat  gabojnë.  Për  këtë  arsye  është   i nevojshem  një  sistem  i  tillë  qeveritar,  i  cili  nuk  i  shtyp, por  i  respekton  pakicat  dhe  e  përfill  njëkohësisht  vullnetin  e  shumicës, sepse  ai  më së  shumti  i ofrohet  idesë  së të  drejtës  për  vetvendosje,  duke   respektuar  domosdoshmerinë  e  bashkëjetesës.

Demokracia  moderne  nuk  përfaqëson  vetqeverisjen e popullit.Ajo  sot mund  të  realizohet si  qeveri  e  përfaqësuesëve  te  popullit, të  dala nga zgjedhjet e përgjithëshme, të  lira  e  të  fshehta, të  cilat marrin  në  këtë  mënyrë detyrat të    qeverisin  dhe   ta   udhëheqin   vëndin   sipas   vullnetit    të   shumicës  përkatëse   të  forcave  politiko-shoqërore  të  një  kombi.

Eshtë  e  vërtetë  që  tek  demokracitë  duket  sikur  populli  bën  atë  që dëshiron, por   liria  politike  nuk  konsiston  të  bësh   atë  që  dëshiron pra është e kufizuar madje edhe në vëndet më të zhvilluara.

Në  një  shtet, apo  në  një  shoqëri, liria  mund  të  konsistojë  vetëm në pushtetin për  të  bërë  atë  që  duhet  bërë   dhe  jo  në  të  qënit  i  detyruar për  të  bërë  atë  që  nuk  duhet  bërë.

Liria  shfaqet  në  forma  e  kuptime  të  ndryshme  në  demokraci.Bie  fjala liria fizike  që  konsiston  në  mungesën  e  pengesave  materjale të çdo  specie.  Prandaj arrimë në përfundimin se mund  të  themi qiell  i  lirë,ajër  i  lirë, njeriu  i  lirë  etj.

Thuhet  se  një  popull  është  i  lirë kur  qeveriset nga ligjet që  ai vetë  ka  dhënë.Pra  liria  politike  duhet   shoqëruar  me  lirinë  fizike e më tej.

Liria  intelektuale  konsiston pikërisht në kapacitetin për të ushtruar lirisht vendimin, në ushtrimin e kapacitetit, për  të  arsyetuar në mënyrë diskutuese dhe  duke  argumentuar  me  mjete  logjike.

Liria  morale që  sipas konceptit  empirik  të  lirisë, do të thotë:  unë  jam i lirë,në  se  mund  të  bëj  atë  që dua, e me këto fjalë “  atë  që  dua “,  liria  është  tashmë  e  përcaktuar.Liria  është  aftësia për të filluar vetë një  seri ndryshimesh.Faktikisht, me fjalen “ vetë “ në kuptimin e vërtetë të saj, do të thotë   pa  shkaqe  paraprijëse.

Demokracia  është një nocion  apo  sistem që garanton  disa  të  drejta.Të drejtat  janë elementet më themelore dhe ndërtues të  qeverisjes demokratike.Përshëmbull  çdo  qytetar, duhet të gëzojë  të  drejtën themelore  për  të  votuar.Në  Shqiperi  kjo  e  drejtë  është  nëse nuk  është  mohuar   në një  mënyrë  ose  një  tjetër, duke   patur  parasysh  dhe  mungesën  e  një  infrastrukture  rrugore  moderne, ka  hasur  pengesa  për  tu  ushtruar krejtesisht  në  mënyrë  të  vullnetshme.

Opinioni  im për  këtë  çështje është se :  qytetaret  do ta gëzojnë plotësisht këtë  të  drejtë vetëm kur  Shqipëria do të  ketë një infrastrukturë moderne, në mënyrë që distancat  dhe  koha e udhëtimit të mos  jenë pengesa për të marrë pjesë në  aksione politike  direkte  siç  janë  votimet por  edhe indirekte  në  forma  të  ndryshme  dhe  përfaqësuese.Megjithatë kjo nuk është definitive sepse tashmë janë shfaqur paratë si garanti i infrastrukturës zgjedhore që do të thotë edhe në se vlen si  kandidat nuk mund të zgjidhesh në se nuk ke  para.

Të  sanksjonosh  të  drejtat  vetëm përmes  ligjit  ose  kushtetutës  nuk  mjafton.Te  drejtat  duhet  të  aplikohen  në  praktikë  nga  qytetarët.Nëse këto  të  drejta  nuk  aplikohen  në  praktikë, sistemi  politik  nuk  është demokratik edhe  pse  qeveritaret  mund  ta  konfirmojnë  atë.

Në  Shqipëri,  shumë  të  drejta  themelore  duke  u  nisur  nga   mungesa e formimit  arsimor, mungesa  e  informacionit, e  infrastrukturës, vetëm mbeten  thjeshtë  të  sanksjonuar  në  ligje  dhe  nuk  gjejnë  hapësira  për  tu aplikuar.

Në  këtë  rast  jo  vetëm  që  nuk  kemi demokraci  moderne, por  mund  të  gjejmë  forma  primitive  demokracie, ku  tributë  ose  grupet  e  personave të mbyllur  e  të  izoluar  me  botën  nga  kufijtë natyrorë, thjeshtë aplikojnë akoma   asambletë  si  në  Athinën e  lashtë  për  të   zgjidhur  çështjet   e përbashkëta  mbi  principin  e  barazisë  në  grup.

Pra  në  këtë  rast  kemi  demokraci  jo  funksionale  dhe  për  këtë  shkak ajo është  ireale.

Asgjë  nuk  mund  të  realizohet pa  njerzit  dhe  asgjë  nuk  është  e  qëndrueshme  pa  institucionet.Kur  kontinenti  i  vjetër, Europa,  ishte   në rrezik  të  zhdukej, njerëzit  filluan  të  merrnin  me  seriozitet profecitë   e ndryshme, në  lidhje me vdekjen e kontinentit  vjetër, per  shkak të  gjëndjes se  vështirë  që  u  krijua  pas  luftës  dytë  botërore.

Pikërisht  atëhere  u  hodh  ideja  e  “ unifikimit  në  diversitet “. Qëllimi, qysh atëhere  ishte  ndërtimi  i  institucioneve  të  cilat  do  të  rikthenin  ndikimin e Europës   në   politikën  globale.

Sipas  teorisë  bashkëkohore  politike, mbajtja  e  zgjedhjeve  demokratike  e  pluraliste, është  element, jo  i nevojshëm, por,i  domosdoshëm, i funksionimit  të  demokracisë,  në  një  vënd.

Sot, pra,  kultura  politike  renditet  e  para  për  shkak  se  është  faktori kryesor  që  ndikon  në  formimin  e  identitetit  politik  të  vëndeve.Në këtë kontekst  qendrimet  politike  ndahen  në  autoritariste, barazie  dhe  respektuese.

Qëndrimi  autoritarist  nënkupton  besimin  e  verbërt  të  qytetareve  për pushtetmbajtësit,  duke  i  konsideruar  ato  si  të pagabueshëm, duke mos i dhënë  llogari  atyre  që  i  kanë  zgjedhur.

Qëndrimi  parazitar, përmblidhet  ne  faktin se, qytetarët  janë  të  bindur se çdonjëri   nga   pjestarët  e  tyre  mund  dhe  është  në    gjendje   të  qeverisë vëndin.Edhe  qëndrimi  respektues,  që  konsiston  në  një  përzierje të dy qëndrimeve të  lartpërmëndura.

Kjo  ndodh  si  rregull kur publiku  nuk  është  konkret  dhe  i  materjalizuar, por është vetëm një konstruksion  i  ndërtuar  nga  fjalimet  demagogjike  të kandidatëve  që  synojnë  mbrojtjen  me   çdo  kusht   të   pushtetit.

Sipas  Linkolnit,  demokracia  është  qeveri  që  i  perket  popullit,  del  nga  populli  dhe  i  shërben  atij.

Pra  demokracia  nuk  është  vetëm  një  sistem  idesh  dhe  parimesh  mbi  lirinë  por  përbën  gjithashtu  një  sërë  praktikash dhe mënyrash  veprimi  që  kanë marrë  formë në rrjedhën  e  gjatë, dhe shpeshherë  të  ndërlikuar  të  historisë.

Me  pak  fjalë,  demokracia  është  institucionalizimi  i  lirisë. Mbi  këtë bazë mund  të  përcaktohen  parimet  themelore  të një  regjimi  kushtetues, të cilat  i  kanë  qëndruar  kohës, si  edhe  të  drejtat  e  njeriut  dhe  barazia  para  ligjit, pa  të  cilat një  shoqeri nuk  mund  të  quhet  demokratike.

Demokracia    në  vetvete  nuk  garanton  asgjë.Ajo  paraqet  mundesi  për  të  fituar, por  edhe  rrezik  për  të  dështuar.Pra, në këtë  mënyrë demokracia është  thjesht edhe  premtim  edhe  sfidë.

Xhozef  Brodski, poet  rus  dhe  fitues  i  çmimit  nobël, ka  shkruar : “ Një njeri  i  lirë  nuk  fajëson  askënd, në  qoftë  se  dështon”.

Kjo  vlen  edhe  për  shtetasit  e  një  shoqerie  demokratike,   të  cilët, përfundimisht, duhet  të  mbajnë  përgjegjësinë  për  fatin e shoqerisë në të cilën kanë  dashur  vetë  të  jetojnë.

 

Botuar në gazetën Ballkan, e Shtunë 11.1.2014