Pakti detar midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe Korridori 8

Siç dihet vitin e kaluar pra në vitin 2009, u firmos Marrëveshja e publikuar me aq bujë dhe foto midis z. Basha dhe ministres Jashtme greke për kufijtë detarë. Sigurisht në mungesë të plotë të transparencës, marrëveshja e firmosur nga qeveria, vuri në lëvizje mbi 60 shoqata dhe organizata të shoqërisë civile, politikanë, historianë, juristë të të drejtës ndërkombëtare, ekspertë të fushës të cilët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese anullimin e saj për shkak se preket integriteti dhe tërësia territoriale e ujërave detare shqiptare dhe cënohet rëndë Kushtetuta dhe Siguria Kombëtare e Republikës së Shqipërisë.

Në këto kushte, një grup ekspertësh hartografë, kanë arritur me anë të formatit satelitor të nxjerrin të dhënat për gjatësinë e vijave bregore të Shqipërisë dhe Greqisë si dhe sipërfaqeve ujore që kanë përfituar sipas marrëveshjes së prillit 2009 tashmë të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky grup, matjet i ka bërë në mënyrë të pavarur nga qeveria e cila nuk pranojë asnjë oponencë apo këshill për këtë marrëveshje. Matjet u llogaritën me shkallën 1:100000. Sipas matjeve, 1 kilometër vijë bregore shqiptare përfiton 10, 2 kilometra katror ujra detare dhe shtratdet kontinental, ndërsa 1 kilometër vijë bregore e Greqisë përfiton 17, 2 kilometra katror ujra detare dhe shtratdet kontinental. Sipas hartografëve, Shqipëria humbet në tërësi 354 kilometra katrorë det nga pakti me Greqinë ose gjerësia e detit u pakësua për më shumë se 12 milje detare.

Në nenin 1 të Marrëveshjes së firmosur, në kllapa përmendet termi “vijë bazë ishullore”. Kjo ka sjellë një vijë bazë kryekëput në favor të palës greke dhe rrjedhimisht cenon në thelb parimin e baraslargësisë dhe dëmtimin e interesave kombëtare të palës shqiptare. Pra, në këtë kuptim, ky është një skandal i cili në mënyrë të qëllimshme është marrë në mbrojtje projekti i qeverisë për faljen e sipërfaqes së detit palës greke. Shqipëria është trajtuar si plaçkë lufte në marrëveshjen që qeveria nënshkroi me Greqinë. Shteti ynë, jo vetëm që është tkurrur në kufijtë e tij detarë në jug të vendit, por ka humbur edhe pozitat e tij të dikurshme në det, të cilat kanë qenë tepër strategjike në raport me Greqinë. Ahmet Zogu para 85 vjetësh i dhuroi Serbisë Shën Naumin (sot është nën territorin Maqedon) për të ardhur në pushtet. E njëjta gjë ndodh dhe përsëritet në vitin 2009 nga Sali Berisha por ky i fundit për të ruajtur pushtetin. Me shpërbërjen e Jugosllavisë, qeveria Shqiptare duhet ti ketë prioritet bisedimet për kufirin liqenor të Shkodrës, Ohrit dhe Prespës pasi ato zotërojnë gati dy të tretat padrejtësisht edhe pse ato tashmë janë shtete të rinj dhe të ndarë nga Serbia. Pse s’bëhet apo qeveria nuk do telashe dhe nuk është e aftë ta trajtojë?
Ky akt dhurimi është shkelje e hapur e pikës 2, neni 1, i Kushtetutës ku thuhet se, “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Po ashtu është shkelur neni 3 i Kushtetutës i cili gjithashtu thekson se “Pavarësia e Shtetit dhe tërësia territoriale e tij janë baza e këtij shteti, i cili e ka për detyrë të respektojë dhe ti mbrojë”. Të njëjtën gjë theksojnë dhe nenet 78 dhe 83 të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë. Arsyet janë interesat ekonomike që tashmë janë bërë politike të Greqisë. Në sipërfaqen e grabitur pala greke në bashkëpunim me rusët do të shfrytëzonin burimet e gjetura në naftë e gaz dhe kërkonin të mos ishte përfituese vendi ynë. Theksojmë se burimet energjetike ndodhen në kufirin tonë detar ndaj Greqisë i duhej ajo sipërfaqe.
Pra u shkel sovraniteti territorial i vendit, u cënua siguria kombëtare dhe askush nuk u dënua, mbajti përgjegjësi apo qofte edhe të kërkonin falje publike.
Po ç’bëhet kështu me fatet e Shqipërisë?
Le të shpjegohemi. Me datën 29 prill në Soçi të Rusisë, kryeministri Vladimir Putin firmos një marrëveshje të veçantë me të gjitha vendet nga ku kalojnë tubacionet e gazsjellësit “South Stream”, mes të cilave edhe Greqia. Marrëveshja do të zgjasë 30 vjet, ndërsa sasia e gazit e transportuar llogaritet të jetë 10 miliard metër kub në vit. Sipas qeverisë greke, kjo është ndër kontratat më fitimprurëse që janë nënshkruar ndonjëherë. Kuptohet se përfitimet janë në kurrizin tonë, të cilat shkojnë në disa miliarda euro në vit. Kompania ruse Gazprom do të jetë dhe ndërtuesi i kësaj vepre që kap një shifër marramendëse. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis dhe ai rus
Vladimir Putin, firmosën marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit “South Stream”. Ceremonia e rastit u zhvillua në Kremlin. Pra gazi dhe nafta dhe kanali i Otrantos janë interesat greke dhe ruse. Moska zyrtare deklaroi se ky projekt do të nisi në vitin 2011, por për zbatimin e këtij projekti ambicioz sa fitimprurës aq dhe strategjik është pengesë Shqipëria e cila ka brenda ujrave të saj territoriale burimet e gazit dhe naftës.
Pse Greqia kërkon kanalin e Otrantos? Arsyeja është e thjeshtë.
Në bazë të marrëveshjes së firmosur nga Basha, ministri jonë i jashtëm dhe e ideuar nga Kryeministri Berisha, Greqia hyn automatikisht në kanalin e Otrantos dhe kësisoj ajo konsiderohet vend kufitar me Italinë dhe jo më me ne. Pra Greqia përfiton kot falë bujarisë së qeverisë shqiptare e cila fal gjithçka si të ishte çiflig i qeverisë.
Edhe pse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë marrëveshje e cila do mbahet mend gjatë, përsëri vijnë sinjale e deklarata zyrtare, të turpshme nga qeveria se marrëveshja do rishikohet përsëri, që do të thotë se përsëri do ti bëhen lëshime territoriale palës greke.
Po përse duhet bërë marrëveshja dhe pse duhet rishikuar ajo domosdoshmërisht. Nga përvojat e shteteve të tjera të Europës, vërejmë se 3-4 shtete janë që kanë bërë marrëveshje për ndarjen e kufijve detarë. Atëherë po ne përse e bëjmë? Përse nuk u bë më parë dhe nuk u kërkua edhe në kulmin e konflikteve që ka patur dekada më parë Greqia me Shqipërinë? Qëndrimi i qeverisë të krijon përshtypjen se problemi mund të rregullohet sepse ai duket se është autokritik ndaj qeverisë greke e cila nuk ka turp dhe kërkon sqarim për vendimin e drejtësisë shqiptare. Natyrisht që intervenimi i pjesës së detit nëse do të ndodhë, të cilën disa politikanë e kanë cilësuar veprimin e qeverisë si tradhti kombëtare, nuk është i vetmi interes i palës greke.
Siç e dimë korridori i tetë, aq i përfolur sidomos dekadën e fundit, fillimisht u përkrah nga faktori ndërkombëtar pra Bashkimi Europian dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi u firmosën të gjitha marrëveshjet përkatëse të shteteve që do duhet të kalonte ky korridor, pra Maqedonia, Bullgaria dhe Shqipëria. Pikërisht atëherë filloi diversioni nga qeveria greke. Prezencën e saj si anëtare e Bashkimit Europian e shfrytezoi maksimalisht po në të njëjtën mënyrë shfrytëzojë dhe paaftësinë dhe mefshtësinë e qeverisë shqiptare e në mënyrë të veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila kurrë nuk u trajtua ky problem në kancelaritë europiane. Si rezultat Komisioni Europian bllokoi financimet e korridorit tete, i cili tashmë nuk figuron në projektet e saj deri në vitin 2020. Pra shikoni pasojat e politikës tonë të jashtme e cila fokusohet më së shumti vetëm tek problemet e integrimit sikur këto do shpëtonin Shqipërinë dhe shqiptarët.
Greqia u tregua mjaft agresive në këtë çështje për shkak se zbatimi i këtij projekti do të thoshte që trafikun e mallrave nga Azia, Lindja e Mesme dhe nga Lindja në Perëndim e anasjelltas të kalonte përmes korridorit tetë. Dhe rezultati nuk mungoi. Bashkimi Europian nuk e financoi këtë projekt dhe i dha prioritet rrugës EGNATIA e Re me gjatësi 450 kilometra. Kjo rrugë vlerësohet shumë për lidhjen e Europës me Azinë dhe Lindjen e Mesme. Rruga që lidh Pireun me Selanikun dhe prej këtu në Igumenicën kushton 15 miliard euro, nga rrugët më të shtrenjta të Europës dhe tashme kjo vepër ka filluar dhe po punohet me intensitet të lartë.
Krahas rrugës po ndërtohet dhe një terminal i madh dhe modern jo vetëm për përpunimin e mallrave tranzite por në mënyrë të veçantë për përpunimin e kontejnerëve. Me përfundimin e saj ajo do të tërheqë jo vetëm një pjesë të trafikut të Shqipërisë dhe Maqedonisë por dhe më gjerë. Në këtë mënyrë, duke parë dhe distancën mjaft afër me portet tona sidomos të Sarandës dhe Vlorës, portet tona detare dalin jashtë loje dhe investimet që po bëhen rezultojnë pa efektivitet. Pra askush nuk ka bërë një prognozë se sa trafik do ti mbetet portit të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.
Eshte e drejtë të theksojmë se instituti i transportit, i specializuar për studime të këtij karakteri të ngarkohet me këtë punë sa nuk është vonë.
Pra, sidoqë ta nisim analizën, qeveria greke nuk ka bërë kurrë një politikë fqinjësie dhe Shqipërinë dhe shqiptarët i ka trajtuar si armiq. Ka dekada të tëra që organizata nacionaliste atje bëjnë politikë antishqiptare. Kjo nuk vërehet për sa folëm më lart, por shikohet qartazi tek botimet e librave antishqiptare të cilat botohen në dinamikë. Sjellje dhe diskriminim të shqiptarëve emigrantë atje edhe pse ata kanë patur një rol të madh në ekonominë greke, ju mohohen të drejtat më elementare dhe nuk trajtohen njëlloj si grekët. Shqiptarëve u kërkohet me çdo çmim ndryshimi i emrit në ortodoks për tu marrë në punë dhe moshave të treta ju jep pension për të përligjur oreksin e vjetër të Vojo Epirit. Çamëve ju mohet e drejta kthimit në trojet e veta dhe çdo e drejtë që lidhet me pronat e tyre, dhe qeveria hesht dhe nuk guxon ta ngrejë. Vetëm pse u ngrit një flamur shqiptar nga një djalë i ri, e vranë dhe askush nuk tha gjë. Qindra të tjerë, qytetarë shqiptarë janë vrarë gjatë kalimit të kufirit për në Greqi për një jetë më të mirë dhe nuk është bërë qoftë dhe një notë verbale. Nacionalistët grekë dhe ideatorët e Vojo Epirit ende mbajnë në fuqi ligjin e luftës. Nuk janë të pakta rastet që janë qëlluar anijet tona tregtare apo ato të peshkimit dhe përsëri i njëjti qëndrim. Të gjitha këto burojnë nga koncepti se gjoja jemi të vegjël dhe kemi qëndruar në pozita inferiore dhe pozita lëshimesh. Lëshuam në Bilisht në ndërtimin e varrezave gjoja të ushtarëve grekë edhe pse atje nuk është vrarë askush. Kemi bërë dhe dhjetëra lëshime të tjera që lidhen me problemet e integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian apo për liberalizimin e vizave të cilin Greqia e mban peng për të marrë konçensione të tjera nga ne. Hidhni një vështrim Maqedonisë edhe pse një vend i vogël 2, 2 milion banorë dhe sa gjysma e Shqipërisë dhe nuk i lëshon pe Greqisë dhe asnjë konçension. Shikoni sa dhe si e mbron identitetin e saj edhe pse atje banojnë 40% shqiptarë ose 900 mijë shqiptarë. Nuk mendoj kurrë që të bëjmë politikë refraktare dhe të izoluar por jo të shesim gjithçka kemi ndërtuar dhe trashëguar nga të parët tanë që aq shumë dhanë dhe luftuan për Shqipërinë. Problemet që diskutojmë ia vlen kushdoqoftë në qeveri, të tregohet më transparent dhe e hapur për këto çështje sepse shqiptarët e meritojnë dhe se Shqipëria në fund të fundit është e gjithë shqiptarëve.