Oligarkia dhe oligarkët

Për të qënë i saktë me lexuesin mu desh të hap fjalorin e shqipes të cilëve disa pushtetarëve nuk ju pëlqen, se si kuptohet fjala Oligarki dhe ç’janë Oligarkët. Është nga fjalët më të përdorshme në vëndin tonë sepse tek ne pushteti i dorës fortë ka pothuajse 60 vjet, sëmundje të cilën shoqëria shqiptare dhe ne të gjithë, nuk kemi mundur ta kurojmë dhe le më për ta shëruar. Kjo ka marrë theks dekadën e fundit, fenomen ky që ishalla nuk degradon e shkon më tej.

Do të thotë një klikë dominuese ose pushtet i përqëndruar në pak duar ose në një dorë të vetme.

Elementi kryesor i shtetit demokratik janë zgjedhjet prej të cilave del parlamenti, qeveria,opozita dhe shteti juridik. Shoqëria dhe liria e saj mund të sigurohet vetëm përmes ndarjes së pushtetit në organe të ndryshme të pavarura. Kjo ndarje dallon qartazi demokracinë nga diktaturat.

Ndarja e pushteteve pra balancimni i tyre, niset nga konstatimi se me zbatimin ligjor dhe atë juridik, në asnjë mënyrë nuk janë parashikuar saktësisht të gjitha funksionet e pushtetit. Pra ndarje pushtetesh do të thotë ndarje përgjegjësish në rradhë të parë.

Parimi themelor kushtetues i organizimit të shtetit është ndarja e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe atij gjyqësor.

Në këtë shkrim nuk dua të analizoj pushtetet e sipërpërmëndura, funksionimin e tyre, as pushtetin mediatik i cili është mjaft i rëndësishëm në funksionin e demokracisë, por do të ndalem tek pushteti opozitar.

A është pushtet opozita, cili është roli i saj dhe çfarë ndodh në vëndin tonë me trajtimin e opozitës?

Kontrolli dhe dominancat mbi të gjitha pushtetet nga ana e maxhorancës, nga shumica parlamentare ka asfiksuar organet që japin drejtësi, ka tkurur diplomacinë shqiptare dhe e ka kthyer demokracinë në një pushtet nga e cila duhet të kalojnë të gjitha pushtetet e tjera.

Kjo u pa qartë në zgjedhjen e Presidentit Republikës dhe synimet pët të kapur Prokurorin e Përgjithëshëm dhe kreun e SHISH-it, ç’ka e detyroi Imamin të dublojë atë strukturë e të përgjojë opozitën dhe struktura të tjera të pa mbështetur në ligj. Vështirë se ka vënd në botë të ndodhin këto paudhësi, të ushtrosh terror ndaj opozitës dhe popullit tënd që të solli në pushtet.

Vërehet re në deklaratat e para të Presidentit lidhur me Prokuroren e Përgjithëshme dhe Kreun e SHISH-it ku dha sinjalet e para si President i Partisë Demokratike dhe jo ai që pretenduam se na përket dhe ne që nuk e zgjodhëm. Pra me sa duket ai e ka vështirë të dalë mbi palët.

Përqëndrimi i pushteteve në një dorë të vetme i ka krijuar frymarrje oligarkëve të cilët sot kontrollojnë gjithë veprimtarinë e Shqipërisë, atë ekonomike, politike,kulturore,sociale,ushtarake, pse jo trafiqet e ndryshme dhe kondrabandën e gjithçka tjetër që lidhet me dominimin e pushtetit.

Sipas njoftimeve që i referohen burimeve të sigurta, oligarkët e ngopur duan të riaktivizojnë marrveshjen e kufirit detar me Greqinë për cilën vitin e kaluar është shprehur kundër dhe Gjykata Kushtetuese. A mund të negociohet tërësia territoriale e Shqipërisë, kush e ka të drejtë të veprojë kundra interesave kombëtare, kundra popullit dhe kundra kushtetutës dhe ligjit. Kush do duhet nesër të përgjigjet para ligjit e popullit?

Kryeministri tashmë na propozon referendum për imunitetin? Po për plehrat dhe ndarjen e kufirit detar do të bëjë referendum? Po për pasurinë kombëtare, konçensionet dhe përvetësimin e saj nga një grup i vogël?

Në thelb, shteti i së drejtës karakterizohet si forma juridike i një demokracie pluraliste. E gjithë kjo lidhet me parimin e pluralizmit, ç’ka nënkupton edhe ekzistencën e partive politike. Në këto kushte, opozita, bëhet “ një organ i sovranitetit popullor po aq jetik sa edhe qeveria. Zhdukja e opozitës dhe e opozitarizmit është zhdukja e sovranitetit të popullit “.

Në fund të fundit, ajo është një kriter për vete ekzistencën e demokracisë.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka njohur Kuvendit të drejtën për të caktuar edhe komisione të posaçme, ndër të cilat një rëndësi të veçantë paraqesin komisionet e hetimit.

Fillimisht u pushtua pushteti mediatik. U asgjësuan kritizenët, dhe u krijuan mjaft kanale televizive për mbështetjen e qeverisë, të cilat do ti kishte zili një vënd i zhvilluar. U kap televizioni Klan madje u krijuan dhe tre kanale të tjera High Definition (HD), Albanian Screen, TVSH-ja, Shijak TV, ABC News, TV Koha, NTV etj. E veçanta është se kudo ta çosh të shfaqet në ekran vetëm Kryeministri dhe Kryeparlamentarja. Sponsorët e fuqishëm që nuk duan ti paguajnë asnjë lek shqiptarëve, sponsorizojnë spektakle, filma e telenovela pa fund, këto televizione në emër të ligjit të sponsorizimeve dhe zhvillimit të artit dhe kulturës.

Gazetarët kanë ulur kokën dhe një pjesë janë bërë bisht e ortak me pushtetin sepse ky i fundit i mban dhe i paguan mirë. Vendimet e rëndësishme që lidhen me fatet e popullit qeveria i merr vetë. Kështu të gjitha ndërmarjet madje dhe ato strategjike i jep me konçension kujt ja do qejfi mjaft të mbyllin gojë.

Kështu dhanë dhe po japin me konçension minierën e Bulqizës, Armon, Albpetrolin, sheshin e kontainerëve në portin detar Durrës, njësinë e prodhimit të pasaportave e kartave të identitetit, porto Romanon, Kontrollin teknik të automjeteve, hidrocentralet Bistricë 1 dhe 2, Shkopet dhe Ulzë, privatizimet e pronave publike të ushtrisë, etj. Ende nuk janë bërë me dije sa hektarë toka bregdetare janë grabitur në Gjirin e Lalzit, Golem, Qerret, Himarë, Dhërmi e deri në Sarandë. Sipas burimeve jo zyrtare bregu liqenor i Pogradecit dhe i Shkodrës nuk u pëlqen oligarkëve.

Të gjitha këto u keqadministruan dhe pa përfillur opozitën. Vënde të tjera si motra i bëjnë me referendum kur bëhet fjalë për pasurinë publike e kombëtare ose së bashku me opozitën. Rasti i fundit që lidhet me përgjegjësitë dhe fatin e vëndit kemi parë Greqinë por dhe vënde të tjera.

Diplomacia shqiptare ka shtatë vjet që lëngon. Vetëm pse nuk emërohen njerzit e oborrit dhe ata me konflikt interesi janë lënë me dhjetra vënde bosh pa u emëruar. Janë hapur Ambasada në vënde ku nuk duhen dhe atje ku nuk kemi kurrfarë marrdhëniesh dhe interesash. Tashmë kanë bërë një listë me 25 emra të cilët presin proçedurat për tu firmosur.

Diplomatët janë kthyer në zëdhënësa të qeverisë, detyrë të cilën e bëjnë mirë por dhe punët e tyre nuk i bëjnë keq. Gjynah të mendosh kur Shqipëria jo vetëm që ka prioritet integrimin por dhe çështjet e Kosovës dhe ka mbetur një sektor amorf, parazit që detyrat e diplomacisë kanë dalë të dorës dytë mjafton të presin e përcjellin mirë agallarët dhe kaq duhet.

Nafta, energjia, kontrolli i automjeteve, importi i plehrave, ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, shitblerja e skrapit, minierat e kromit dhe sipërmarjet e mëdha janë bërë monopol dhe sigurisht kontrollohen nga pak duar.

Kjo strategji ka hapur mjaft plagë që po e çon vëndin drejt katastrofës. Papunësinë nuk ka institucion që e mat, thuajse populli është i papunë e rrugëve. Njerzit në nevojë dhe që ushqehen me lista e mbajnë frymën gjallë me djersën e emigrandëve shtohen çdo ditë.

Eurollotot, kazinot dhe lojrat e fatit kanë zënë vënd dhe na serviren për zhvillim e mirqënie. Këto aktivitete përgjithësisht i kanë bodygardët e oborrit sepse nuk paguajnë asnjë lek shtetit.

Opozita udhëzon, kritikon, bën vrejtje por askush nuk kujtohet të dëgjojë, le më të reflektojë.

Drejtësia është pika më e dobët dhe nuk do ishte keq të ishim pa të. Të drejtën nuk e gjen kurrë. Dënohen qytetarët për veprime kundravajtje e vjedhje ordinere dhe nuk dënohen trafikantë e kriminelë të cilët janë rrezik për shoqërinë dhe sigurinë publike.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur gjyqtarët kërkon ti emërojë politika e qeveria. Mungesa e gjyqtarëve të pa miratuar nga parlamenti ka lënë mbi 3000 mij çështje pa gjykuar, merre me mënd se çfarë bëhet.

Korrupsioni është futur në çdo qelizë të organeve të pushtetit aq shumë sa që tashmë duket sikur është punë e paqme të bësh korrupsion të vjedhësh pse jo dhe të vrasësh. Edhe pse ndërkombëtarët flasin, bëjnë raporte e kritikojnë përsëri nuk duan t’ia dinë se ç’thotë opozita dhe ato që duan të na integrojnë.

Ndërtimi i rrugëve që lëvdohet qeveria u jepet prioritet sepse është kollaj të përvetësosh fondet publike.

Kriza ka kohë ulur këmbëkryq dhe asnjë strukturë qeveritare nuk e pranon. Ishalla nuk kemi edhe një herë fatin e fajdeve dhe na hiqet qafe shpejt kjo qeveri se keq e kemi punën.

George Washington në vitin 1796 në porosinë e tij të lamtumirës drejtuar popullit amerikan do të thoshte: “Qënia e arrogancës së pushtetit pretendon përmbledhjen e pushtetit të të gjitha instancave në një instancë të vetme, për të shkaktuar në këtë mënyrë, pavarsisht nga forma e qeverisjes, despotizimin. Një vlerësim i drejtë i këtij epshi për pushtet fatkeqësisht është i vërtetë”.

Opozita kritikon madje nganjëherë me tone, por mungesa e vullnetit për të pranuar kritikat, për tu korigjuar ndesh në mentalitetet e bajraktarizmit e rrënjosur thellë tek disa oligarkë.

Opozita ende nuk kuptohet si pushtet me rol e rëndësi jetike për qeverinë, qeverisjen dhe zhvillimet demokratike. Tashmë opozita duhet të mendojë seriozisht jo thjesht për të ardhur në pushtet por për të larguar oligarkinë dhe oligarkët të cilët duan të qeverisin pa opozitë, duan dhe e kanë konsideruar pasurinë kombëtare si çifligun e tyre, duan të shesin gjithçka kanë prodhuar etërit tanë.

Opozita duhet të krijojë elitat e politikës së ardhme, të krijojë një klasë politike që i ka munguar ndër vite Shqipërisë, të nxisi dhe të krijojë frymën e besimit, të bashkëpunimit, mirkuptimit reciprok, të shpresës, se Shqipëria vërtet ka mundësi konkrete të bëhet më demokratike.

Opozita dhe Partia Socialiste si partia më e madhe që pritet të vijë në pushtet duhet të bëjë bashkimin shpirtëror të shqiptarëve të ndarë, disa nga politikat e trajtimit të pronave ku pronarët u kthyen në argatë dhe pronarë u bënë grabitësit dhe shkelësit e ligjit, ku administaratën publike e mbushën me militantë besnikë dhe me diploma false, ku vjedhja dhe shpërdorimi i fondeve publike u kthye në motiv e qëllim në vete dhe ku pushteti konsiderohet si pronë e çiflig i vetë pushtetit.

Dhe që të ndodhin këto duhet të presim vitin 2013 i cili do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha.

Botuar në gazetën Zëri Popullit, e Enjte 9 Gusht 2012