Boshti Sllavo-Ortodoks gllabëron Shqipërinë

Boshti sllavo-ortodoks, ose siç thuhet ndryshe Athinë-Beograd-Moskë njihet për aleancat e tyre politike dhe ekonomike. Kjo vërehet qartë jo vetëm për interesat që kanë në vendin tonë, por aleanca e tyre ka të bëjë dhe me qëndrimin ndaj shtetit më të ri Kosovës. Megjithëse ligji shqiptar e ndalon shitjen e tokës bujqësore për shtetasit e huaj, shënohen shumë raste që ato bëhen pronarë të trojeve turistike në bregdetin shqiptar. Shtetasit e huaj kanë filluar të tregojnë interes për tokat shqiptare veçanërisht në jugun e vendit tonë. Këtë fakt e vërtetojnë zyrat e regjistrimit së pasurive të paluajtshme dhe agjencitë imobiliare. Sigurisht që blerësit janë kryesisht grekë që jugun e konsiderojnë "tokën e tyre" dhe sllavët pra serbë e rusë, të cilët joshin pronarët vendas me çmime mbi tregun e ditës. Kjo i detyron fakirët shqiptarë ti shesin pronat e tyre për të përballuar nevojat e tyre familjare.

Sipas ligjit, shtetasit e huaj ndalohen të blejnë tokat bujqësore. Sipas ekspertëve të bujqësisë dhe ushqimit, ajo mbrohet nga shteti dhe të huajt nuk mund të bëhen pronarë të tyre legjitimë. Si rezultat i zbatimit të ligjeve 7501 "për tokën" dhe ai 8053 të datës 21.12.1995 "për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore", mbi 80 % e fondit të tokës ka kaluar në pronësi private. Sipas kritereve të këtij legjislacioni, janë krijuar rreth 430 mijë pronarë privatë të tokës. Janë pikërisht këta që kanë realizuar shitjet e tokës për shtetasit e huaj, jashtë rregullave dhe ligjit në fuqi, duke e konsideruar atë pronë të tyre, pa menduar për pasojat që i shkaktojnë vendit të tyre. Nëse do të vepronin të gjithë kështu, duke u nxituar nga përfitimet e larta e të rastit, do të rrezikonin jo vetëm pasurinë e tyre por dhe pasurinë dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Sigurisht që qeveria shqiptare ka bërë syrin qorr dhe indiferentin përballë këtij problemi madhor që mbetet për tu korrigjuar urgjent për shkak se asaj i ka interesuar më shumë mbajtja e pushtetit se sa të merren me problemet që lidhen me ruajtjen e tërësisë territoriale dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.
Meqenëse ligji shqiptar e ndalon shitjen e tokës bujqësore ndaj shtetasve të huaj, shënohen raste të tilla nga ish pronarët. Këta të fundit nuk e kanë të vështirë ti rregullojnë letrat për grekët e rusët, të cilët paguajnë shumë. Interes kanë shfaqur dhe qytetarët maqedonas të Shkupit, Manastirit dhe Prilepit për jugun e Shqipërisë. Qindra familje kanë blerë banesa, ndërkohë që ky eksod vazhdon të përhapet me shpejtësi. Publikimet e agjencive imobiliare maqedone, bëjnë me dije se kërkesat për blerje ka mjaft dhe çmimi i tyre në atë zonë varion nga 600 deri 700 euro për metër katror. Ndërkaq, biznesmenët rusë të veshur me petkun politik po blejnë dhe ata në bregdetin e Vlorës, Himarës, Sarandës madje dhe në Gjirin e Lalzit, duke zbatuar në këtë mënyrë strategjinë që ju dha sukses në Malin e Zi. Këtë fakt e kanë bërë të ditur zyrtarët e Shërbimit Informativ Shtetëror të cilët kanë informuar për këtë qëllim dhe komisionin parlamentar të sigurisë. Mafia ruse po aplikon skemën e Malit Zi, ku kanë blerë sektorë strategjikë në Beograd si agjencinë ajrore JAT etj, Telekomin në Malin e Zi dhe operatorët celularë dhe një pjesë të mirë të bregdetit të tyre në Budva, Petrovac, Ulqin, Bar etj. Tashmë këtë strategji po e zbatojnë dhe në vendin tonë që nëse nuk e ndalim, do të thotë "pushtim" i vendit.
Kjo politikë i ka dhënë rezultat qeverisë ruse duke përdorur paratë, gazin, naftën e qymyrin për të qenë dhe ai lojtar i rëndësishëm në politikat globale. Kjo vërehet dhe në qëndrimet ruse në marrëdhëniet me perëndimin, ku pika kulmore qe ndërprerja e furnizimit me gaz pikërisht në sezonin e dimrit kaluar. Duke analizuar më me hollësi këtë ndodhi, të bën përshtypje fakti që rusët dhe grekët janë më të interesuarit për ndarjen e kufirit detar në jug të Shqipërisë nga të cilat grekët do të përfitonin 355 mijë kilometra katrorë ose më saktë zonën naftëmbajtëse që rusët e dinë mirë, ku përfituesi de jure do të ishte Greqia dhe de fakto rusët, të cilët përmes gazpromit do të nisnin shfrytëzimin e arit të zi. Sidoqoftë nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme bisedimet po vazhdojnë shumë sekrete ku nuk bëhet asgjë publike. Po propaganda diplomatike greke lidhur me Vorio-Epirin, a ka lidhje me këtë problem kur deklarojnë se Korça, Himara, Saranda etj. , janë territore greke dhe qytetarët e tyre grekë? Përse zyrtarët tanë mbajtën kaq qëndrim të butë dhe pse frikësohen? Në raste të tjera, kemi vënë re që shpallen non grada këta diplomatë, apo thua të jetë mendimi i tij personal? Nuk e besoj të jetë qëndrim i rastësishëm dhe pa prapavijë politike të menduar mirë. Sikur të mos mjaftojë kjo, tashmë qytetarët shqiptarë po ballafaqohen me lajthitjen e radhës për regjistrimin e popullsisë dhe deklarimin e përkatësisë fetare, ku bën përshtypje fushata e Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili sipas meje i ka dhënë një dimension të ri drejtësisë shqiptare, duke dalë në mbrojtjen e shqiptarëve nga kjo masakër me pasoja mjaft të rrezikshme. Gjithçka bëhet në emër të reformave. Janë huazuar modelet e Maqedonisë, Bosnjës dhe të ndonjë tjetri që vërtet janë shtete multietnike. Po ne që s'jemi të tillë, pse e bëjmë kur dihet zyrtarisht që minoritetet në vendin tonë nuk janë më shumë se 42 mijë në numër.

Sidoqoftë, nisma e tij duhet përshëndetur, por do të ishte më mirë që ajo të konkretizohej duke marrë iniciativa ligjore që do ta mbyllte një herë e mirë abuzivizmin dhe ndërprerjen e kësaj hemorragjie me pasoja të rrezikshme dhe të pakorrigjueshme. Lidhur me sa sipër, siç është bërë e ditur janë ngritur dhjetra shoqata dhe organizata joqeveritare jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha trevat shqiptare, të cilat i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare për të mbrojtur identitetin kombëtar shqiptar kundër invazionit dhe përpjekjeve sistematike për të fshehur, apo nënvleftësuar praninë historike dhe kulturore të kombit shqiptar e të qëllimshme, aq dhe të rrezikshme për ekzistencën e kombit tonë. Ky veprim misterioz duhet të ndalet sa më parë, në të kundërtën do ta kthenin popullin shqiptar në refugjat të vendin e vet. Boll lëshime ju kemi bërë grekëve. Iu dhamë të bëjnë varreza atje ku nuk ka të rënë dhe qeveria heshti, na vranë 147 qytetarë që shkonin për bukën e gojës përtej kufirit dhe përsëri nuk folëm. Tani duan që së bashku me sllavët të na ndërrojnë fenë, të na bëjnë me çdo kusht ortodoksë, të na marrin sipërfaqet e tokave e të detit dhe ne përsëri të mbyllim gojën. Po zgjedhja e Pacollit, President i Kosovës i cili me bashkëshorte ruse dhe investime të rëndësishme në Rusi dhe Serbi, a ka gjasa të ketë ndonjë lidhje? Le t'ia lëmë kohës dhe për momentin ta lëmë pa përgjigje dhe ti urojmë atij suksese e punë të mbarë. Një gjë duhet të jetë e qartë, që kombi ynë ende ka patriotë që nuk mendojnë vetëm për vete por për Shqipërinë, Kosovën, Preshevën e viset e tjera, atje ku banojnë shqiptarë. Pra duhet ti thërrasim ndërgjegjes juridike, publike dhe morale që të bëhemi zot të fateve tona. Fatin tonë nuk e përcakton një njeri apo grup njerëzish, por populli që shkroi me gjak historinë e vet. Nuk ka dyshim se përkatësia trifetare e shqiptarëve, harmonia, e bën më të pasur, më të përbërë identitetin tonë kombëtar. Këtë fakt e dëshmojnë historia jonë e shkëlqyer e të dhënat e panumërta të kulturës tonë të lashtë. Së fundi, do desha të apeloj si qytetar i këtij vendi që duke marrë shkas nga këto ngjarje dhe ato që kemi kaluar, të inkurajojmë çdo veprim qytetar dhe çdo shërbim që lidhet me mbrojtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe gjithçka të mirë që kanë prodhuar etërit tanë.

Gazeta Sot

27 Shkurt 2011

Nga Sadedin ÇELIKU