Sozia e Çausheskut në Shqipëri

Të gjithë e njohin Rumaninë si një vend ballkanik, madje më i madhi. Burimet e saj natyrore janë nafta, lëndët drusore, gazi natyror, qymyri, xeherorë hekuri, kripa, tokat pjellore, burimet hidroenergjitike etj.

Shqipëria është 1/6 më e vogël në popullsi dhe 1/8 në sipërfaqe. Rumania kishte një lider që e udhëhoqi vendin për më shume se katër dekada. Po cilat ishin dhe çfarë e bashkon Çausheskun me liderët shqiptarë?

Çaushesku deshi të bëhet një udhëheqës i madh pa llogaritur forcat. Ngriti një industri të rëndë të fuqishme, por jo-konkurruese në tregun ndërkombëtar. Eksportet e saj dominonin në tregun afrikan, treg ky pa shumë pretendime për sa i takon kualitetit dhe teknologjisë. Çaushesku në Kongresin e Partisë Komuniste në vitin 1986 iu kërkoi delegatëve të tij të shtrëngojnë rripat për të larë 14 miliardë dollarë të borxhit të jashtëm dhe duke stimuluar në këtë mënyrë eksportet. Në atë kohë radhët për bukë në Bukuresht ishin 200 metra, ndërsa në dyqane nuk gjeje asgjë përveçse konserva peshku të markës shqiptare.

Çaushesku ynë në emër të reformave bëri tufëzimin e blegtorisë, madje dhe për shpendët, stimuloi eksportin e gjësë së gjallë për në Greqi dhe popullata merrte ushqim me tollon (racion). Në atë kohë 1 kg mish i gjallë këmbehej me 4 kg mish i therur, por mish nga ai që donte sharrë industriale për t’u prerë. Çaushesku ynë kërkoi metalurgji, kur vetë kinezi i kishte në formë eksperimentale, kombinate tekstilesh dhe autotraktorësh që nuk prodhonin traktorë.

Çaushesku kërkoi me këmbëngulje të ndërtonte anijen cisternë më të madhe në botë dhe e ndërtoi me kapacitet prej 350. 000 tonësh, duke ia kaluar dhe Japonisë, por me një teknologji të vjetër. E veçanta ishte se u ndërtua, kur ranë ndjeshëm burimet e naftës dhe u vu në rrezik dhe plotësimi i nevojave të veta.

Çaushesku ynë kërkon të bëjë parqe energjitike dhe centrale bërthamore që tërë Evropa të “furnizohet” nga ne duke prishur parkun kombëtar të Llogorasë, rreth 100. 000 hektarë pyje e kullota e duke montuar 250 turbina. Do të bëjë e përpunojë gazin e ardhur nga Afrika Veriore dhe Katari dhe do të lidhë dy brigjet nënujore të Karaburunit me Brindisin, paçka se ne nuk do të përfitojmë asgjë përveç ndotjes së mjedisit.

Çaushesku kërkoi të devijonte Danubin dhe ta fuste në Bukuresht, njësoj si lumi Senë në Paris, punë që u la përgjysmë në vitin 1989.

Çaushesku ynë, pasi lënda drusore u pre, keqadministrua dhe u shit pa kriter, do të mbjellë 20 milionë fidanë ullinj që populli shqiptar të mos gatuajë më me gjalpë, margarinë, vaj misri, vaj “Olim”, por vetëm me vaj ulliri.

Çaushesku ndërtoi në Bukuresht qindra pallate dhjetëkatëshe, duke qenë vendi i dytë në Evropë në zgjidhjen e problemeve të strehimit, por me kusht që lëvizja të ishte e komanduar.

Çaushesku ynë solli në Tiranë dhe qytete të tjera një milion njerëz nga zona verilindore dhe iu tha i gëzofshi tokat e trojet e huaja, ndërkohë që pronarët legjitimë vijnë vërdallë me komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, gjyqeve apo dhe gjykatave ndërkombëtare për të drejtat e tyre.

Çaushesku ushqeu dhe stimuloi vjedhjen dhe korrupsionin në vendin e tij.

Çaushesku ynë, edhe kur i thonë institucionet ndërkombëtare se Shqipëria mban vendin e parë në Ballkan për korrupsion, thotë se po e luftojmë atë. Në sondazhin e zhvilluar nga Gallup Ballkan Monitor rezulton se 32% e shqiptarëve flasin për korrupsion të gjerë dhe 48% e njerëzve besojnë se qeveria nuk po e lufton atë.

Çaushesku kërkoi ndërtimin e pallatit më të madh në botë, më të madh se Pentagoni, në kulmin e varfërisë. Ky pallat sot nga populli rumun mban emrin Pallati i Çausheskut.

Çaushesku ynë kërkon të ndërtojë portin më të madh në Ballkan, në Vlorë, dhe të zbatojë ligjin e koncesionit në thellësi dhe gjerësi si për të gjithë sektorët e tjerë strategjikë.

Çaushesku nuk mundi të frenojë dhe të zbatojë politika për të zbutur plagët e shoqërisë që lidhen me prostitucionin, papunësinë etj.

Çaushesku ynë as që ka ndërmend të zbatojë politika sociale për parandalimin e këtij fenomeni dhe vështirë që të gjesh vende evropiane pa prostituta shqiptare.

Çaushesku thoshte se me larjen e borxheve të jashtme do të përfundonte ndërtimin e socializmit.

Çaushesku ynë thoshte: “Të mbështetemi në forcat tona”; “Do të hamë bar dhe dorën armikut nuk ia shtrijmë”; “Shqipëria po ndryshon”; “Ne flasim me gjuhën e veprave”; “Shqipëria, një euro”; “Shqipëria në moshën e internetit”; “Viti 2009, viti i integrimit të Shqipërisë, i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike”.

Kush ka imituar kë? E lë në dorën tuaj ta gjeni.

Botuar ne gazeten Tema, e marte 16 dhjetor 2008