Transporti, më i diskriminuari por dhe më i korruptuari

Intervistë eskluzive dhënë gazetës Zëri Populli, e Premte 28 Shkurt 2014 me ish zv.Ministrin e Transportit  z.Sadedin Çeliku

Gjatë dekadës fundit,transporti ishte sektori ku thuajse nuk ekzistonte në politikat e qeverisë, por pa konsideratë dhe nga politikëbërësit.Ky sektor u shfrytëzua për afera korruptive dhe u trajtua si lopë për të pasuruar plangprishësit.

Nga ana tjetër, sektori i transportit u trajtua  si punë  rrugësh pa ç’ka që rruga bëhet për përdorues të cilët janë njerëzit, biçikletat, ciklomotorrat, automjetet,avionat,hekurudhat etj.Pra pa përdorues nuk do të ekzistonin rrugët.

z. Çeliku, si paraqitet situata e transportit në përgjithësi dhe a mundesh të na bësh një panoramë rreth kësaj çështje:

Dihet nga të gjithë se tashmë s’ka dyshim se transporti është shndërruar në një industri të fuqishme sepse është nga të paktat sektorë që riciklimi bëhet shpejt por dhe sepse të gjithë sektorët e tjerë varen e ndërvaren prej saj.Kështu dokumenti i bardhë i Bashkimit Europian si dhe vëndet e G8 dhe G20  kanë përcaktuar objektiva të qarta për zhvillimin e tij deri më vitin 2020.Të mos harrojmë se është sektor që gjeneron fitime të mëdha,vënde të lira pune,lidhje,bashkëpunime,lëvizje e lirë e njerzëve, mallrave  dhe shkëmbimeve tregëtare.Kjo është arsyeja që në këtë sektor po  investohen  miljarda  dollarë, sidomos  nga vëndet  ekonomikisht  të fuqishme.

Sa i takon vëndit tonë ju them me përgjegjësi se nuk ka patur politika dhe prioritetet e zhvillimit kanë patur karakter aferash.Kështu mund t’ju them se të gjitha akset e rrugëve përveç kualitetit që lë për të dëshiruar (pra pjerrësia tërthore,gjatësore,pa mbikalime,nënkalime,pa ndriçim publik,pa studim e detyra prejektimi,pa sinjalistika,etj) nuk ka përfunduar asnjë.Të gjitha rrugët janë lënë në gjysëm.Kështu rruga kombit ka ende dy lote pa përfunduar edhe pse deri tani janë harxhuar 1,1 miljard euro,rruga dhe by pass i Fierit,Fier-Vlorë,Korçë-Qafplloçë-Pogradec, rruga Pogradec-Lin,Tiranë-Elbasan,Levan-Tepelenë,rruga Arbërit etj.Të gjitha këto akse tashmë duhet t’i përfundojë kjo qeveri e cila e gjeti arkën e shtetit bosh.Edhe pse pa përfunduar këto rrugë u hapën për qarkullim shpesh për qëllime elektorale duke krijuar premisa për aksidente të shumta përgjegjësia e së cilës i takon qeverisë larguar.

z.Çeliku, me transportin ajror a ka patur projekte ?

Letra ka patur me bollëk por punë nuk është bërë fare.Është përfunduar aeroporti i Kukësit i cili kushtoi rreth 25 miljon dollarë por ende nuk është vënë në shfrytëzim edhe pse është i kategorisë C ndërkombëtar me pistë 1900 metra i gjatë,70 metra i gjërë,me terminal,vëndqëndrim avionash,ndriçim etj.Vënia në shfrytëzim e tij duhet të jetë prioritet sepse lehtëson aeroportin e Rinasit dhe rrit kualitetin e shërbimit për qytetarët e Kukësit,Hasit,Pukës,Tropojës,Gjakovës,Prizrenit etj.Sa i takon aeroporteve të brëndëshme të Shijakut, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Gjirokastrës,Kuçovës  nuk është bërë asgjë.Me sa di unë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e ka shqetësim këtë çështje dhe ka disa projekte që lidhen me zhvillimin edhe të këtij sektori.

z.Çeliku, Si paraqitet transporti rrugor dhe a ke dijeni rreth grevës së transportit dhe pretendimeve të sindikatave të këtij sektori ?

Transporti publik është me probleme të cilat tashmë janë bërë të vjetra. Konkurenca e pandershme,inventari i furgonave,taksive dhe autobuzave është me moshë të vjetër të cilat nuk shkojnë në sinkron me çështjet e sigurisë rrugore.Problemet që shfaqen sot,mënyra se si ngrihen, gjykoj se kanë prapavijë politikën dhe në këtë këndvështrim nuk më vjen mirë.

Transporti ndërqytetas me një inventar të vjetër janë të gatshëm ta rinovojnë inventarin  që të sigurojnë një transport modern dhe bashkëkohor por nuk e bëjnë sepse konkurohen padrejtësisht nga  furgonat.Në bazë të ligjit të transportit shërbimi taksi në linja operimi duhet të shkojë në një drejtim plot dhe kthimi bosh në mënyrë që të mos konkurojnë autobuzat ndaj dhe tarifat e këtij shërbimi janë dyfishi i autobuzave.Ndodh e kundërta,nuk zbatohet ligji i transportit dhe vijon amullia në transportin publik.

Me probleme dhe e luksit kërkesat e transportit qytetas ku edhe pse mendoj se tarifa e biletës mund të negociohet përsëri nuk jam dakort të rritet pa marrë disa masa e reforma plotësuese që përmisojnë këtë shërbim.Zgjatja e stacioneve deri në 1000 metra nga 400 metra që është sot,zvogëlimi i  rezonancës së qëndrimit në stacione,rritja e shpejtësisë, heqja e arkëtimit të biletës kesh dhe automatizimi i këtij shërbimi, do rriste ndjeshëm kualitetin e këtij shërbimi,do ulte kostot, amortizimin dhe numurin e inventarit të autobuzave në operim.Në se realizohen këto sigurisht që këshillat bashkiake mund ta diskutojnë tarifën.Duke patur parasysh gjëndjen sociale të përdoruesëve të autobuzave mendoj që kërkesa e sindikatave të realizohen në kohë më të arsyeshme.

Transporti rrethqytetas është me autobuza dhe minibuza teknikisht shumë keq ku rreziqet janë portent.Për mua nuk duhen lejuar pa bërë kontroll të rreptë teknik.

z.Çeliku a mund të na thoni diçka rreth transportit detar ?

Portet dhe kapacitetet portuale janë ato që kanë qënë para 20 vjetësh me përjashtim që mekanizmat janë rinovuar rast pas rasti.Ajo që vihet re është se janë investuar mbi 150 miljon euro dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Investimet kanë  qënë të përsëritura për të njëjtin objekt.Bie llafi për dallgëthyesit,infrastrukturën,superstrukturën dhe mekanizmat janë shpenzuar shuma maramëndëse.Porti i peshkimit nuk e ka vëndin aty ndofta në një vend tjetër dhe ajo kalatë mund të shfrytëzohesh shumë mirë për port jahtesh.Në Vlorë ideja e sipërmarrjes së bregdetit lumturon çdo shqiptar. Porti duhet larguar që aty duke i lënë vëndin portit turistik dhe përpunimi i mallrave të bëhet tek pylli i sodës.Ka ardhur koha që portet të specializohen si kudo nëpër botë.

Shumë pak është bërë për transportin modal,intermodal dhe multimodal, transporte inovative dhe bashkëkohore që ul ndjeshëm ndotjet dhe kostot në transport.

Inventari i flotës nacionale mund të jetë nga më të vjetrat në botë.Duhet të ndalohen me ligj blerja e anijeve mbi moshën 15 vjeç sepse rrit kostot dhe rreziqet gjithashtu.

z.Çeliku ç’mund të na thuash për transportin hekurudhor ?

Më vjen keq për gjëndjen e hekurudhës dhe mungesën e vullnetit për kthimin në gjëndje optimale të këtij sektori.Mendoj se nuk ka asnjë gjë që e justifikon këtë situatë.Me sa di ish Kryeministri ka patur detyra që lidhen me integrimin për kryerjen e disa reformave në hekurudhë që do ta nxirrnin nga sektor me humbje në rentable.Jo vetëm që nuk  u bë por u shkatërrua plotësisht.Ideja e Bashës për investimet e luksit që lidhen me zgjatimin e bulevardit,prishjen e terminalit hekurudhor,heqja e magazinave dhe kalimi kapital tek Ministria e Drejtësisë,lënia e mjeteve lëvizëse mjaft të vjetra,ulja e shpejtësisë nga konsumi i shinave dhe i gjithë rrjetit, e rrënuan proçesin ç’ka do të thotë se hekurudha do ndërhyrje tërësore.

Kam dëgjuar deklarimet e zotit Haxhinasto se aparati që ai drejton e ka prioritet këtë sektor dhe unë besoj sinqerisht se kështu do të ndodhë.

z.Çeliku, të gjitha këto probleme që ngrini a lidhen me sigurinë rrugore ?

Sigurisht që po. E çuditshme por e vërtetë.Sa herë që kërkohet zbatim ligji nis reagimi madje në mënyra të ndryshme. Flasim për shtetin ligjor dhe nuk e duam atë.Mua më vjen mirë tek e shoh policinë e shtetit që gjobit kundravajtësit dhe kërkon zbatim ligji.Ajo duhet inkurajuar e mbështetur në kryerjen e detyrës.U reagua për demontimin e armëve kimike por nuk u reagua për importin e plehrave dhe demontimin e armëve në zonën urbane Gërdec,u reagua për prishjen e disa objekteve pa leje dhe nuk reagohet që gjysma e vëndit nuk paguan energji dhe ujë të pishëm pse jo dhe taksa.

E njëjta gjë ndodh me protestat e fundit në sistemin e transportit ku vihet re mungesa e qytetarisë për mosrespektimin e ligjit.Siguria rrugore është cënuar sepse nuk ka patur asnjë seriozitet në këtë çështje.Ish kryetari ndërdigasterial nuk e ka mbledhur asnjëherë komitetin e sigurisë dhe s’ka marrë asnjë masë.Kredia e marrë nga Banka Botërore e cila kishte si qëllim reduktimin e aksidenteve nuk e kreu misionin dhe nuk pati kurrëfarë rezultati.Sidoqoftë po merren një paketë masash dhe nismash të cilat besoj se edhe kjo çështje si shumë të tjera do të rregullohen.

z.Çeliku, ju faleminderit.

Ju faleminderit ju që më dhatë mundësi të shpreh mendimin tim.