Realizimi i korridorit 8, sa sipermarrje e veshtire. Interviste per Revisten MAPO

Pas takimit të ministrave të rajonit në lidhje me Korridorin 8, për publikun doli dhe njëherë në sipërfaqe problemi i kësaj arterie të rëndësishme. Por, e parë në mënyrë të detajuar, ajo duket se është ende shumë larg realizimit të saj dhe një nga punët jo aq lehtë të realizuara në kushtet e reja. Korridori 8 duket sërish shumë larg. Për këtë specialisti i njohur i transporteve S. Çeliku rendit një sërë arsyesh dhe i argumenton ato me kujdes...

Një nga punonjësit e hershëm të projektit për Korridorin 8, ish-Zv.Ministri i Transporteve, Sadedin Çeliku shpjegon të gjithë atë që po bëhet dhe po del në skenë sërish për Korridorin 8. E pas firmosjes së Memorandumit nga katër Ministrat e rajonit, në ditët e fundit, ai është gjithsesi pesimist ...”është e vështirë të realizohet sepse kanë evoluar idetë të shoqëruara me projekte. Ju e shikoni që rusët po kërkojnë dalje nga Greqia për Itali e në Perëndim për të shmangur ndërkohë dhe dubluar rrjetin nga Ukraina e më tej. Në sinkron të këtyre interesave është edhe Turqia e cila ka pretendimet e veta”

Juve keni qenë në postin e zv/ministrit, kur është punuar për rrugën. A mund të na thoni se çfarë përfaqëson Korridori i 8 – të, pasi pak ditë më parë u firmos një Memorandum Mirëkuptimi nga katër Ministra Transporti ?

“Korridori 8 –të është nismë e filluar nga viti 1996 nga Presidenti i SHBA-së, Z. Bill Clinton. Sipas iniciatorit ky korridor do të kalonte nga Bullgaria,Maqedonia dhe Shqipëria për të kaluar në Bari/Brindisi ose siç u quajt më vonë Korridori Lindje-Perëndim dhe anasjelltas. Për të negociuar lidhur me këtë projekt SHBA-ja kishte ngarkuar TDA ( Agjencia e Zhvillimit dhe e Tregtisë).
Financimi për realizimin e këtij Korridori do të bëhej nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian dhe për këtë qëllim qeveria Amerikane krijoi enkas kompaninë AMBO e cila siç e merrni me mend ka germat e para të shteteve respektive nga ku kalon korridori. Për organizimin e studimit të fizibilitetit dhe projektet u caktuan firma amerikane Bechtel dhe pikërisht ajo që ndërton aksin Durrës-Kukës-Morinë-Prishtinë-Merdarë, aks ky që përfundon në Nish. Theksoj se financimi për sa sipër ishte grand amerikan prej 30 milion dollarë një pjesë e të cilave përfitoi dhe hekurudha shqiptare, kurse rruga e kombit siç po quhet është tërësisht financim i qeverisë shqiptare”.

Për këtë korridor, bisedimet filluan qysh në vitin 1996 ku Ministre e Transportit ishte znj. Zana Panariti. Çfarë u bë atëherë?
“Është e vërtetë se negociatat filluan atëherë. Gabimi i asaj kohe por edhe tani, është se projekti i Korridorit konceptohej si nismë politike dhe jo si çështje teknike. Kjo ishte arsyeja që znj. Panariti në atë kohë bëri disa gabime parimore. Ajo atëherë firmosi në Romë një Memorandum Mirëkuptimi dhe e quante projektin rrjet rrugor ( network) dhe jo Korridor i cili ka krejt kuptim tjetër. Sipas Asaj projekti ishte Durrës-Elbasan-Qaf Thanë dhe kaq,sepse u konceptua si punë rrugësh”.

Atëherë, meqenëse Ju thoni se ishte konceptuar gabim si e korrigjuat më vonë ?
“Gjatë vitit 1997 e më pas në krye të delegacionit shqiptar për negociatat e korridorit u emërova unë. Dhe të them të drejtën edhe pse pa eksperiencën e plotë, unë atëherë i dhashë projektit në fjalë drejtim teknik. Kështu qysh në takimet e para të zv.Ministrave të Transportit të Ballkanit të organizuara në Shkup, Tiranë, Sofie, Romë, Vienë, Washington etj , kërkuam ndryshimin konceptual të projektit dhe heqjen e fjalës rrjet rrugor. Kështu pra korridor do të thotë autostrada, superstrada, rrugë të standardeve ( 11,5 metra të gjëra) ndërkombëtare, porte, aeroporte, transport detar, rrugor, hekurudhor, naftësjellës, gazsjellës, gazsjellës, logjistikë etj. Pra, Korridori është një sistem transporti.
Preventivi dhe studimi i fizibilitetit që bëri pala amerikane parashikohej 1.2 miliard dollarë”.

Çfarë parashikonte projekti,rruga që do të përshkonte dhe çfarë interesi kishim ne?
“Ky projekt parashikonte ndërtimin e naftësjellësit dhe gazsjellësit nga Burgasi e Varna-Shkup-Patos-Vlorë nga ku në det të hapur do të ndërtoheshin pontilet larg ( rezervuarë nafte) portit Vlorës. Sipas saj, parashikohej që 10% e fitimit ta merrte Bullgaria,dhe nga 5% respektivisht Maqedonia dhe Shqipëria, pra ndarja në raport me gjatësinë e shtrirjes së tubacionit. Secili nga këto vende kishte të drejtë të përdorte për nevojat e veta 15% të sasisë naftës çka Shqipëria do të kish mundësi që me atë sasi të plotësonte nevojat”.

Më vonë çfarë vendosët për Korridorin ?
Nga kontaktet intensive dhe mjaft serioze ne arritëm të rikonceptojmë si duhet Korridorin dhe konkretisht kemi firmosur për: Durrës-Tiranë-Elbasan(nga Kërraba) – Qaf Thanë – Durrës Rrogozhinë-Elbasan-Qaf Thanë ,Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Vlorë, Tiranë-Bllatë (Peshkopi ),Pogradec-Lin-Strugë shtrirje e hekurudhës prej 3,6 kilometra. Pra siç e shikoni janë përfshirë dy portet tona Durrës e Vlorë si portat kryesore të Korridorit 8-të. Qysh atëhere janë firmosur nga delegacioni ynë dhe më pas nuk ka pasur ndryshime ose më saktë u la fare. Ideja e këtij koncepti ishte për ti dhënë një zhvillim transportit mallrave e pasagjerëve që edhe pse ka kaluar goxha kohë mendoj se kemi bërë atë që duhet”. 

Z.Çeliku, Ministrat e Transportit të Italisë,Maqedonisë,Bullgarisë dhe Shqipërisë përmes një Memorandumi u angazhuan të financojnë zbatimin e Korridorit 8-të. Cili është mendimi juaj ?
“Të them të drejtën gëzohem në se atë që kanë firmosur e kanë seriozisht dhe e zbatojnë. Çështjen e Korridorit personalisht e quaj një sipërmarrje të vështirë sepse ka disa problem:
-vetëm hekurudha rreth 500 kilometra që kemi kërkon mbi një miliard euro mbasi mungojnë tërësisht terminalet e pasagjerëve e mallrave, magazine, sinjalistika, rrjeti I amortizuar kërkon shina, ballast, aksensorë, paisje makineri etj.
-kërkohen fonde për ndërtimin e segmentit Pogradec-Lin ( pjesa jonë ) se pjesa Maqedone ka distance më të madhe.
-kush do të financojë këto projekte, se ne nuk kemi mundësi dhe as fonde.
Këtu nuk po llogaris fondet për rrugët,portet,aeroportet e brendshme, etj.
Para disa vitesh Maqedonia dhe Bullgaria thithën disa fonde nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që ne flinim gjumë se ne duam të na i sjellin këtu. Porti i Vlorës ka ndryshuar prioritet, pra Z. Berisha i ka dhënë përparësi portit të kontainerëve tek Pylli i Sodës, i cili nuk i duhet Shqipërisë për shkak se teknikisht ai nuk ndërtohet vetëm për kontainerë dhe kjo praktikë nuk e gjen në asnjë vend në botë,praktikisht nuk kemi trafik mallrash me kontainerë për shkak se Bashkimi Evropian i ka dhënë prioritet dhe ka financuar për 15 miliard euro rrugën Egnatia pra portin e Igumenicës. Ky port krahas porteve Pire,Selanik do të thithin gjithë trafikun e Korridoreve 8,10,12 dhe mallrat nga Lindja Largët dhe Lindja e Mesme. Pra nuk e di çfarë kanë pasur parasysh ata.
Unë sinqerisht do doja të realizohesh ky korridor dhe e quaj krejt pa vend që ky projekt gjigand që do të prodhonte zhvillim për Shqipërinë u la në harresë shumë vjet. Dhe, tani ka mjaft shmangie prioritetesh të cilat qeveria më duket se nuk i ka bërë mire hesapet. Kam dëgjuar për debatin e ndërtimit peshkimit dhe e kam parasysh shumë mire pozicionin gjeografik. Kam përshtypjen se e kanë gabim dhe ndërtimi i saj nuk do ti rezistojë kohës”.

Po segmenti Tiranë – Bllatë si u konceptua atëherë?
“Të them të drejtën, unë pata parasysh shkarkimin e trafikut se bie fjala s’ka pse kalon nga Qaf Thana një kamion me destinacion Burrelin, Peshkopinë,
Krujë, etj., sepse rrit shumë koston e transportit dhe mallit. Atëherë zv.Ministri maqedon i transportit z. Petkovski e mori për provokim politik dhe u desh ndërhyrja e palës amerikane që ata pranuan propozimin tim. 
A mund të na thoni, pse mallrat maqedonase nuk tranzitohen nga porti i Durrësit ? 
“Pas vitit 1994 e më vonë pati një fluks të tranzitimeve të kamionave Maqedonë që vinin nga Perëndimi dhe Italia. Në kohën që ky trafik kulmoi,filluan tu kërkojnë ryshfete ku secili desh pjesën e vet, dogana, kapiteneria, piloti i axhentit etj.
Sot porti i Durrësit pretendon ti çojë në pesë milion ton në vit kapacitetet përpunuese ,çka do të thotë që duhet vëmendje nga qeveria e Ministria e Transportit për uljen e tarifave dhe krijimin e lehtësirave portuale. Që të bëhet kjo duhet kontroll rigoroz që të mos ndodhin më kërkesat e ryshfeteve dhe pengesat burokratike”.

Sipas projektit si do të ndërtohej Korridori ?
Korridori ishte konceptuar ne tre faza:Faza pare 1998-2003:
Parashikonte rehabilitimin e rrugëve në gjurmët ekzistuese, devijime te vogla dhe ndërtimin e disa vepra arti për të evituar pikat e zeza si dhe rehabilitimin e aksit kryesor të hekurudhës. Sipas mendimit tim,kjo faze u realizua plotësisht. Kështu përfundoi rruga Vorë-Durrës,mbikalimet tek Plepat dhe ura Dajlanit,rruga Plepa-Rrogozhinë,segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës me fondet e Kooperacionit Italian etj.
Faza e dytë 2003-2010: Parashikonte zhvillimin e rrugëve parësore sipas standardeve pra 2+2 ose superstrada ( deri tani ne nuk kemi ndërtuar autostrada ), ka mbetur pa përfunduar rruga Fier-Vlorë,rrugët dytësore dhe sistemi i ndriçimit kudo,rruga Durrës-Rrogozhinë zgjerim,dhe ajo Tiranë-Bllatë e pafilluar.
Faza e tretë 2010-2020:Parashikonte rrugë dytësore në gjithë gjatësitë e superstradave,sistemin hekurudhor dhe aeroportet e brendshme ajrore. Faza e tretë pothuajse nuk ka filluar dhe ju e shikoni që rrugët e akseve kryesore nuk kanë ndriçim dhe sinjalistika aq të domosdoshme për sigurinë rrugore”.

Ç’mendim keni për rrugën Durrës-Kukës-Morinë ?
“Ky korridor do ta quaja shkon deri në Nish,pra Durrës-Kukës-Prishtinë-Merdarë-Nish-Beograd. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që duhesh bërë patjetër,sa per efektivitetin nuk ja vlen ta diskutosh. Ky korridor do ti japë zhvillim të gjithë zonës nga kalon korridori madje pse jo dhe serbëve”.

Ka vite të tëra që bëhet debat për këtë korridor,çfarë interesash luhen ?

Intervista ime nuk ka karakter politik por vetëm teknik. Evropa ka 24 korridore dhe çdo shtet sheh interesat e veta. Tashmë lufta e ftohtë ka përfunduar dhe zbulimet e kundrazbulimet janë fokusuar në teknologji dhe ekonomi. Më duhet të theksoj edhe një here se korridori duhet të kuptohet drejt se ç’përfaqëson se dëgjova sot tek trajtohesh si punë rrugësh.

Personalisht e përgëzoj firmosjen e atij Memorandumi nga katër Ministrat e rajonit por nga ato që kam kuptuar në dinamikë, është e vështirë të realizohet sepse kanë evoluar idetë të shoqëruara me projekte. Ju e shikoni që rusët po kërkojnë dalje nga Greqia për Itali e në Perëndim për të shmangur ndërkohë dhe dubluar rrjetin nga Ukraina e më tej. Në sinkron të këtyre interesave është dhe Turqia e cila ka pretendimet e veta.
Ndërkaq Bashkimi Evropian më duket se është më e interesuar të ndërtoj rrugën Egnatia pra portin e madh të Igumenicës, të cilën e ka financuar me 15 miliard euro, ndaj nuk besoj se ka gatishmëri dhe vullnet për financimin e Korridorit të tetë. E rëndësishme është se tashmë është kuptuar nga të gjithë palët që transporti ka peshë të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe është shumë fitimprurës.
Sa i takon politikës shqiptare, ajo i ka shkarkuar të gjitha bateritë për integrimin e Shqipërisë se sa për problemet ekonomike. Asnjë ambasadë e jona jashtë nuk ka përfaqësues apo atashe tregtarë për problemet ekonomike.
Personalisht uroj të bëhet më e mira,por unë kam rezerva për realizimin e kësaj sipërmarrje të vështirë”.