Interviste për Revistën MAPO. Numri 98, 19 korrik 2008

Për një specialist problemet e qarkullimit rrugor në kryeqytet janë të qarta dhe të detajuara. Pa ujin e zakonshëm të politikanëve, ai tregon faktikisht pse ndodh e gjithë kjo. Dhe, fajtorët, veç strukturave të shtetit, që nuk dinë të menaxhojnë- jemi dhe vetë ne, që qarkullojmë pa qëllim. Shtuar me mungesën e sinjalistikës dhe pakujdesin e njerëzve rreziqet shtohen. Por, në këtë funksion, i intervistuari edhe na ka dhënë një shembull të Vjenës dhe si janë zgjidhur problemet të ngjashme. Për specialistin, është e nevojshme ndërtimi i mbikalimeve, funksionimi i sinjalistikës etj...Kurse, “autoveturat që lëvizin pa efektivitet duhet të penalizohen përmes taksave dhe me ndërtimin e atyre parkimeve që po flasim, trafiku i automjeteve të jeni të sigurt që do pësojë shfryrje. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës duhet ti shpejtojë masat për ndërtimin e unazës se brendshme, projekt ky që ka kohë që ka filluar dhe s’ka gjasa se do mbarojë ndonjëherë”, shprehet ai

Z. Çeliku, pse ndodhin problemet me trafikun e automjeteve në kryeqytet dhe në vend dhe si e shikoni ndërtimin e parkimeve të mëdhenj tek “Parku Rinia” dhe stadiumi “Qemal Stafa”. Si qëndron ky problem në këndvështrimin tuaj si specialist?


“Fillimisht më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe lexuesit se problemet me trafikun e automjeteve nuk i ka vetëm Shqipëria, por pothuajse të gjitha vendet në botë, por me veçori dhe me specifika të ndryshme. Një nga vendet më problematike në Evropë, p.sh. ka qenë Vjena por që tani e ka zgjidhur përfundimisht problemin duke zbatuar politika taksash në qarkullimin e automjeteve dhe kryesisht në vendparkimet e tyre. Këto taksa dinamizohen në funksion të qëndrimit në parkim aq sa shpesh herë nuk përballohen nga drejtuesit e automjeteve. Tashmë, atje, lëvizjet preferohen me mjete të tjera motorike.
Vendi ynë deri në vitin 1990 ka pasur një inventar mjetesh rreth 30.000 duke përfshirë edhe ato automjete, që kishte ushtria dhe që qarkullonin rrallë. Pas vitit 1990, ëndrra e shqiptarëve u realizua dhe në këtë mënyrë thuajse në çdo tre familje ka një autoveturë.
De jure Shqipëria ka rreth 350.000 automjete dhe de facto rreth 250.000 automjete. Diferenca prej 100.000 automjetesh përfaqëson ato që nuk kanë zbatuar ligjin për çregjistrimin tek organi që i ka regjistruar. Pjesën më të madhe të këtij numri e përfaqësojnë automjetet e ushtrisë dhe të rendit publik, të cilët kërkojnë zbatim ligji kur ato vetë s’e zbatojnë atë. Natyrisht që ky numër i madh mjetesh me atë infrastrukturë të trashëguar para ‘90, të ndërtuar apo të rikonstruktuar pas ‘90 është i pamjaftueshëm”.


Lidhet kjo vallë me masat e dobëta që kanë marrë organet kompetente për lehtësimin e trafikut të automjeteve?


“Natyrisht që jo çdo gjë shkon vaj. Për shembull, po ti hedhësh një vështrim numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen konstaton në dhimbje se nga viti 2005 që u regjistruan 747 të tilla, ajo gati është trefishuar me vitin 2008. Kjo të bën të mendosh që krahas problemeve që thashë me sipër ka dhe mungesë të theksuar profesionalizmi dhe vullneti për zbatimin e kodit rrugor dhe e akteve të tjera normative, që lidhen me të.
Policia rrugore, që patrullon akset rrugore të vendit ku bëhen të gjitha aksidentet ka mjaft përgjegjësi që lejon qarkullimin e automjeteve me shpejtësi, të pirë etj. Natyrisht Ministria e Brendshme ka pjesën e vet që lidhet me lëvizjet e njerëzve, të cilët ishin të specializuar dhe po kaq përgjegjësi, që nuk merr masa për trajnimin e tyre. Në këtë aspekt, unë do t’u bëja një apel atyre që të lëvizin menjëherë punonjësit e policisë rrugore që nuk kanë arsimin përkatës, nuk njohin kodin rrugor, ligjin e transportit, rregulloren e kodit rrugor si dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore, që lidhen me punën e tyre”.

Një numër në rritje aksidentesh, a ka pasur ndonjë projekt që synon zbutjen e këtij problemi ?


”Po. Ka patur një projekt që kompania “Swe Road” ose “Swedish National Road Consulting” .Kjo kompani përfaqësohej nga zoti Dick Jonsson .Ky projekt nuk merrte përsipër eliminimin ose zbutjen e aksidenteve por evidentimin e tyre, shkaqet, metodat për ti luftuar dhe ndërtimin e politikave të reja për zgjidhjen e kësaj çështje. Përveç këtij projekti u dërguan dhe drejtues e specialistë për t’u trajnuar në Suedi, por fatkeqësisht nuk ka mbetur asnjë njeri më në punë. Ky projekt ka vijuar deri në vitin 2006 dhe sipas burimeve pranë MPPT do vazhdojë duke filluar nga muaji i ardhshëm e më tej. Të dhënat për situatën dhe sigurinë rrugore ju janë bërë me dije zyrtarisht qeverisë shqiptare po të gjitha ato kanë rënë në vesh të shurdhër”.

Shpesh herë ndikon në rëndimin e trafikut edhe mungesa e funksionimit të semaforëve...


“E thashë se aksidentet përgjithësisht bëhen në akse kryesore sidomos Fushë-Krujë – Laç – Lezhë – Shkodër, Durrës – Rrogozhinë, Elbasan – Librazhd etj. Përsa i përket zonave urbane këto aksidente janë të pakta në numër. Nëse e kuptova drejt pyetjen tuaj më lejoni të sqaroj për lexuesin tuaj se në përgjithësi në qytete mungojnë sinjalistikat. Për shembull në Tiranë sinjalistikat vertikale (tabelat) në mjaft vende mungojnë dhe ajo që bie në sy, ato lëvizin sipas qejfit. Në këtë mënyrë, kjo i çorodit drejtuesit e automjeteve. Këtu nuk kam parasysh rastet e detyrueshme të vendeve ku bëhen punime. Po kështu, thuajse nuk ka ose bëhen vetëm kur rikonstruktohen rrugët me sinjalistika horizontale (vijëzime në asfalt me bojë të bardhë dhe të verdhë) që kanë jo pak ndikim në qarkullimin dhe orientimin e drejtuesve të automjeteve. Për sa i përket sinjalistikave elektronike (semaforë), ato në përgjithësi janë, por filialet e Korporatës Energjetike duhet të marrin masa për furnizimin me energji të tyre pasi shpesh herë ato nuk punojnë. Pra, siç e theksova- të gjitha këto, mund dhe duhet të rregullohen por që të kërkosh zbatim ligji duhet ta njohësh atë më parë dhe që ta njohësh duhet studiuar dhe vullnet për ta zbatuar”.

Kemi një iniciativë të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e dy parkimeve të mëdha, tek Parku “Rinia” dhe Stadiumi “Qemal Stafa”. Lidhur me ketë çështje ka pasur dhe kundërshti nga forca politike. Ç’mendim keni ju?


“Për ti dhënë përgjigje pyetjes tuaj do t’i rikthehem rastit të Vjenës. Atje thuajse paralizohej trafiku dhe për pasojë filloi të japë impakte negative dhe në ekonomi. Atëherë qeveria austriake miratoi një buxhet prej 150 milionë eurosh për ndërtimin e parkimeve nëntokësore në kryeministri, në të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera të vendit. Të tilla bëri dhe në mjedise të tjera. Pra, unë personalisht e mbështes si iniciativë dhe jam i bindur se duke zbatuar dhe disa masa të tjera do të kemi rezultate të kënaqshme”.

A mos vallë Tirana që ka inventarin më të madh të mjeteve ka nevojë dhe për Mbikalime që ky problem të marrë zgjidhje definitive?


“Natyrisht që po , madje jemi të vonuar. Mbikalimi, që sapo përfundoi, është bërë në vendin e vet dhe sipas standarteve evropiane , po ai nuk zgjidh asnjë problem sepse nuk duhet të prishej mbikalimi i ‘Zogut të Zi’, i cili ishte në përfundim e sipër. Automjetet që kalojnë në mbikalim (është fjala për mjetet që vijnë në Tiranë) krijojnë ngarkesë të madhe në rrethrrotullim madje çoroditje. Ne jemi mësuar ti bëjmë mbrapsht punët .Megjithëse atje u bë një dëm ekonomik prej 1.2 milione euro askush nuk mbajti përgjegjësi dhe organi i akuzës hesht. Na qëllon të dëgjojmë që procedohen ose futen në burg për shpërdorim detyre etj.
Të mos zgjatemi, Tirana ka nevojë për Mbikalim tek Rrethrrotullimi ‘Zogu i Zi’; tek Shkolla Teknologjike, zonë kjo mjaft problematike ( me sa di unë ka një projekt ); tek kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit. Natyrisht që në të ardhmen do të ketë nevojë edhe në vende të tjera por këto mendoj se janë emergjente”.

Për çfarë masash të tjera e keni fjalën?


“Në Shqipëri kjo me e theksuar në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi, Vlora etj. qytetarët i përdorin autoveturat për një kilometër për të pirë kafe apo për qejf. Bulevardin e kanë të lirë dhe shëtitore nuk kemi. Po tu referohesh kryeqyteteve të tjera në shëtitore nuk lejohet qarkullimi i automjeteve ose ka kryeqytete, ku lejohet deri në orën 18 : 00.
Në ketë këndvështrim, këto autovetura që lëvizin pa efektivitet duhet të penalizohen përmes taksave dhe me ndërtimin e atyre parkimeve që po flasim, trafiku i automjeteve të jeni të sigurt që do pësojë shfryrje. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës duhet ti shpejtojë masat për ndërtimin e unazës se brendshme, projekt ky që ka kohë që ka filluar dhe s’ ka gjasa se do mbarojë ndonjëherë”.

Në Greqi para një muaji u mor një vendim, sipas të cilit mjetet e vjetra duhet të hiqeshin nga qarkullimi. A ekziston mundësia të bëhet edhe këtu?


“Është plotësisht e vërtetë. Në përgjithësi, në vende të ndryshme nuk lejohen të qarkullojnë automjete me moshë më të madhe se 20 vjet. Në funksion të kësaj moshe paguhen dhe taksat. Pra, sa më i vjetër të jetë automjeti, aq më shumë taksa do të paguaje ose siç i themi ne do të paguajë, taksa ekstra.
Në Greqi qeveria automjetet që nuk do të lejojë të qarkullohen, do t’u bëjë rivlerësimin e tyre dhe do ti kompensojë me vlerë nga 500 – 2000 Euro për çdo automjet.
Në Shqipëri problemi është me shqetësues. Ende këtu qarkullojnë automjete me moshë 30 vjeçare dhe me të meta serioze teknike. Ato edhe pse me ligj duhet ti nënshtrohen kontrollit teknik, i cili për shkak të moshave të ndryshme, që kanë automjetet, duhet të jetë me i rreptë, thuajse bëhet formal ose nuk bëhet fare për shkak të korrupsionit, që ka përfshirë atë ndërmarrje. Automjetet e rënda, maunet, dhe automjetet e ndërtimit, autobetonierë nuk paraqiten, por letrat i marrin sikur e kanë kryer kontrollin teknik. Kontrolli i detyrueshëm vjetor dhe periodik për transportin publik bëhet me të meta. Pra në numrin e aksidenteve, që ndodhin rast pas rasti, ndikon dhe kontrolli i dobët i automjeteve. Pra, ka ardhur koha që dhe tek ne të merren disa masa. Kjo duhet të fillojë me automjetet e transportit publik, por për këtë lypset një vendim qeverie ose një amendim të ligjit për “ Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”. Nga ana tjetër, Ministria e Financave duhet të shikojë me seriozitet uljen e taksave për autoveturat e reja ku prioritet duhet të kenë makinat e benzinës për shkak të masave për mbrojtjen e mjedisit”.

A mendoni se ndërtimi i parkimeve dhe masat për uljen e taksave për autoveturat e reja kanë prapavijë korrupsionin?


Të them të drejtën unë po fokusohem në karakterin problemor, tematik dhe aspak politik. Megjithatë po të mbajmë gjallë gjithnjë dhe kudo fjalën “ Korrupsion” i bie të mos bëhet asnjë punë, të frenosh zhvillimin ekonomik, të mos japësh leje ndërtimi e për pasoje të ligjërosh papunësinë dhe shumë plagë të tjera sociale, të cilat janë një dëm i madh për çdo ekonomi. Unë them se taksat për makinat e reja nuk ulen sepse janë të pranishme lidhjet e shkurtra. Po të shikosh reklamat e vendeve të tjera, për të njëjtat marka makinash ka goxha diferencë çmimi. Fitimi i distributoreve tanë të makinave të reja varion 25 – 40 %. Nëse Ministria e Financave do të jetë me e arsyeshme në zbatimin e politikave të saj, atëherë me siguri të gjitha këto probleme do zbuten më shumë.

Botuar ne Revisten MAPO ,

E perjavshme politike ,ekonomike ,aktualiteti,sociale dhe kulturore  ,

Numri 98 ,19 korrik 2008